Komuna e Prizrenit mbulon shpenzimet e varrimit
Komuna e Prizrenit tani e tutje do të bëjë mbulimin e të gjitha shpenzimeve të varrimit dhe në bashkëpunim me bashkësitë fetare dhe kompaninë rajonale “Ekoregjioni” do të ofrojë edhe shërbimet e varrimit për të gjithë banorët e kësaj komune.
Lajmin e kanë bërë me dije në një konferencë për medie drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Levent Kasemi dhe ai i Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashi.
Ata kanë thënë se e gjitha që duhet të bëhet nga familjarët është që në momentin kur ka rast vdekje të jepet njoftimi në numrin e telefonit +383 49 305 050 për të treguar adresën dhe kohën se kur duhet të bëhet varrimi i të ndjerit.
Përveç kësaj, Komuna e Prizrenit ka nënshkruar marrëveshje me “Ekoregjionin” edhe për mirëmbajtjen e të gjitha varrezave në territorin e komunës së Prizrenit.
/Epoka e re/