Komuna e Prizrenit mbyll kopshtin e fëmijëve “Yllka”
Zyrtarët e kopshtit “Yllka”, kanë vetëm një orë kohë për ta liruar objektin në të cilin marrin mësime më shumë se 240 fëmijë kosovarë. Inspektorati i komunës së Prizrenit e ka urdhëruar drejtorinë e kësaj Komune, e cila përbëhet nga zyrtarë turq që menjëherë të largohet nga objekti si dhe nga e gjithë Komuna e Prizrenit.
Drejtori i kopshtit, Mehmet Yeman, pjesë e kolegjit “Mehmet Akif” për Express thotë se e gjithë kjo po bëhet qëllimshëm. Kjo ngase ai ka pikëpamje gyleniste. Zyrtarët e Komunës së Prizrenit nuk kanë pranuar të flasin për Express-in rreth kësaj çështjeje.
Në orët e para të pasdites së sotme, Inspektorati i Punës i Komunës së Prizrenit, bashkë me zyrtarë policorë e kanë rrethuar kopshtin “Yllka” në këtë komunë, i cili udhëhiqet nga Mehmet Yeman, pikëpamjet e të cilit janë gyleniste.
Nga komuna e Prizrenit janë urdhëruar stafi i këtij kopshti, që menjëherë të largohet nga objekti i çerdhes. Gazeta Express ka kontaktuar me drejtorin e shkollës. Ai ka thënë se e gjithë kjo po iu bëhet atyre pa asnjë bazë ligjore.
“Sot një komision i inspektorëve nga komuna është paraqitë në drejtorinë e kopshtit ‘Yllka’ me një urdhër nga kryetari i komunës, ku urdhërohet drejtoria ta bëjë lirimin e objektit të menjëhershëm. Kemi të bëjmë më një urdhër që nuk është vendim dhe nuk ka bazë ligjore. Duhet të jetë vendim i gjykatës”, shpjegon drejtori i kopshtit.
Ai thotë se nga inspektorati, i është dhënë vetëm një orë kohë që të largohen nga objekti, në të kundërtën ata do të largohen me forcë.
“Në momentin ka shumë nxënës dhe inspektorët po kërkojnë që të largohemi me forcë. Ka shumë mundësi që këtë komuna po e bënë për arsye që jemi ëlentistë. Ne kemi kërkuar takim me komunën, kryetarin, ata nuk na kanë pranuar. Këtu gjithçka po bëhet në mënyrë arbitrare”, thonë nga kopshti.
Kopshti është dhënë me koncesion vite më parë nga komuna e Prizrenit. Nga drejtoria e kopshtit bëjnë me dije se nuk do të largohen nga aty pa pasur një vendim gjykate.