Komuna e Prizrenit me reforma administrative për shërbime më të shpejta për qytetarë
Me qëllim të përmirësimit dhe thjeshtimit të procedurave administrative për qytetarë dhe biznese, Komuna e Prizrenit në bashkëpunim të ngushtë me Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore është duke u angazhuar në eleminimin e procedurave administrative të panevojshme dhe pa bazë ligjore, përshpejtimin e procedurave, uljen e kostove të tyre, si dhe evitimin e kërkesave për dokumente të panevojshme.
Projekti “Klima e investimeve në Kosovë” i cili ka filluar të implementohet nga nëntori i vitit 2018, kur është nënshkruar kontrata e marrëveshjes nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori rajonal i IFC-së, Thomas Lubeck është duke u financuar nga Qeveria e Zvicrës.
“Në këtë drejtim fillimisht janë identifikuar 161 procedura administrative, për të cilat është bërë analiza ligjore dhe ekonomike, në mënyrë që më pas të jepen rekomandimet për thjeshtimin e tyre. Të gjeturat kryesore janë prezantuar para kryetarit Haskuka dhe drejtorëve të Komunës së Prizrenit në raportin e titulluar ‘Analiza e Procedurave Administrative’, i cili u ndoq nga takime të shumta ku bashkërisht u diskutuan dhe u shqyrtuan miratimet e rekomandimeve për thjeshtim të procedurave”, ka njoftuar Komuna e Prizrenit.
Sipas këtij njoftimi, deri më tani Komuna e Prizrenit ka bërë dy ndryshime me vlerë të madhe në drejtim të thjeshtimit të procedurave administrative.
“Me ndryshimet e bëra, për çdo dokument, qytetari arrin t’i kursejë 0.20 euro si dhe minimumi rreth 15 minuta kohë pasi qytetarit i duhet që ta lë radhën e pritjes në mënyrë që të dalë jashtë objektit komunal për ta fotokopjuar letërnjoftimin dhe të kthehet përsëri në radhë. Në analizat e bëra nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), gjatë vitit 2018 nga gjithsej 202 150 aplikime për nxjerrjen e dokumenteve të Gjendjes Civile, vetëm kërkesa për të sjellë fotokopjet e letërnjoftimeve u ka kushtuar aplikuesve 154,139 euro, gjë që tani do të kursehet nga qytetarët e komunës”, ka njoftuar kjo komunë.
Komuna e Prizrenit ka ulur dukshëm numrin e bizneseve që paguajnë taksën vjetore të veprimtarisë komunale, përkatësisht nga 4 316 në 221 biznese. “Si rrjedhojë, bizneset kursejnë rreth 610 847 euro për një vit”, është thënë në njoftimin e komunës që drejtohet nga Mytaher Haskuka.
/Epoka e re/