Komuna e Prizrenit ofron lehtësira në regjistrimin e veturave
Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë me dije se që nga sot, qytetarët që duhet t’i regjistrojnë veturat e tyre, do të kenë lehtësim në shërbime komunale.
“Për regjistrimin e veturës, duhet të paguhet taksa komunale rrugore në shumë prej 10 euro në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa, ndërsa për ta kryer këtë pagesë, deri më tash duhej të shkohej në sportelet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike në ndërtesën komunale, për ta marr faturën e menaxhimit të mbeturinave. Tani, qytetarët faturën e menaxhimit të mbeturinave mund ta marrin në sportelin numër 8 në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa, ku edhe do të kenë mundësinë ta kryejnë pagesën dhe menjëherë më pas ta paguajnë edhe taksën rrugore komunale, pa pasur nevojë të enden në Drejtorinë e Shërbimeve Publike”, ka shkruar Haskuka në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/