Komuna e Prizrenit përkrah fermerët për ngritjen e 50 serave
Pas përkrahjes së fermerëve me motokultivatorë nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, fermerët e Komunës së Prizrenit janë përkrahur edhe me ngritjen e 50 serave.
Vlera financiare e këtij projekti është rreth 162 mijë euro, ndërsa ngritja e serave është bërë në një sipërfaqe prej 15.600 m2.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se fermerëve prizrenas do t’ia sigurojnë tregun për shitjen e prodhimeve të tyre.
“Tradita e fermerëve tanë në prodhimtari bujqësore në fusha të hapura, e bën edhe më të lehtë aftësimin e tyre për prodhimtari bujqësore në sera. Neve na mbetet që këtyre punëtorëve të vyer t’u sigurojmë tregun për shitjen e prodhimeve të tyre”, ka thënë Haskuka.
Komuna e Prizrenit ka theksuar se përmirësimi i kushteve për zhvillimin e bujqësisë dhe aftësimi i fermerëve për prodhimtari intensive, mbetet prioritet që prodhimet bujqësore të jenë konkurrentë në tregun vendor dhe rajonal.
/Epoka e re/