Komuna e Prizrenit shpërndanë 80 lopë qumështore
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë me dije se kanë shpërndarë 80 lopë qumështore për fermerët e kësaj komune.
“Në kohën kur fermerët tanë çdo ditë e më tepër po sfidohen nga importi i produkteve bujqësore, Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, respektivisht Komuna e Prizrenit është e vendosur që në vazhdimësi t’i mbështes fermerët e vyeshëm përmes projekteve të ndryshme. Me drejtorin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Egzon Elshani, sot kemi shpërndarë gjithsej 80 lopë qumështore për 80 fermerë të ndryshëm. Ky numër është gati dyfish më i madh se vitin e kaluar. Por më e rëndësishme se rritja e numrit të tyre, është mënyra e përzgjedhjes së përfituesve”, ka thënë Haskuka.
Ai ka shtuar se në këtë projekt kanë aplikuar 123 persona. “Sivjet, për herë të parë është bërë thirrje publike për aplikim dhe është formuar një komision i përbërë nga ekspertë komunalë dhe të jashtëm, të cilët në bazë të kritereve të përcaktuara kanë poentuar gjithsej 123 aplikues. E veçanta tjetër e këtij projekti është se blegtorët përfitues vijnë nga rreth 40 fshatra të ndryshme të Prizrenit. Bujqësia mbetet prioritet strategjik i Komunës së Prizrenit, me të cilën synojmë të intensifikojmë dhe funksionalizojmë prodhimtarinë vendore”, ka deklaruar Haskuka.
/Epoka e re/