Komuna e Prizrenit të hënën fillon dëgjimet publike për buxhetin e vitit 2020
Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 duke filluar nga 19 gushti do të organizojë dëgjime publike me qytetarët e kësaj komune, me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj tyre.
Për hartimin e buxhetit për vitin 2020 do të organizohen pesë dëgjime publike me qytetarë, përfshirë katër në fshatrat kryesore të rajoneve të ndryshme dhe një në qytet, përkatësisht në sallën e kuvendit në shtëpinë e bardhë, që do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit.
Komuna e Prizrenit për vitin 2020 do të ketë buxhet prej 50 901 457 eurosh, prej të cilit 43 341 162 euro janë nga granti qeveritar dhe 7 560 295 euro të tjera nga të hyrat vetjake. Në krahasim me vitin 2019, për vitin 2020 Komuna e Prizrenit do të ketë 7.32 për qind rritje të buxhetit të përgjithshëm, duke përfshirë rritje prej 13.1 përqindësh në kategorinë e pagave, 8.48 për qind në kategorinë mallra dhe shërbime, si dhe 50 për qind në kategorinë e subvencioneve.
Kjo komunë ka ftuar të gjithë qytetarët, përfaqësuesit e lagjeve, bashkësive lokale dhe përfaqësuesit e OJQ-ve që të jenë të pranishëm në këto dëgjime dhe ta japin kontributin e tyre në hartimin e buxhetit për vitin 2020.
/Epoka e re/