Komuna e Rahovecit bëhet me sportel ndihmës për qytetarë
Komuna e Rahovecit në bashkëpunim me organizatën joqeveritare Syri i Vizionit në Pejë në kuadër të projektit “Qytetari Aktive” kanë promovuar të hënën sportelin ndihmës për qytetarët, sportel i cili ndodhët në Administratën Komunale të Komunës së Rahovecit.
Në ceremoninë e promovimit të sportelit ndihmës për qytetarë, të pranishëm ishin zyrtarë komunalë dhe kryetarë të këshillave të lagjeve dhe fshatrave të Komunës së Rahovecit.
Me anë të këtij sporteli qytetarët do të kenë mundësi të parashtrojnë çështje dhe nevoja të ndryshme përmes formës zyrtare tek institucioni përgjegjës duke ndikuar kështu edhe në rritjen e transparencës e llogaridhënies ndaj qytetarëve.
Qytetarët e interesuar për më shumë të dhëna mund të informohen përmes fletëpalosjes e cila është përgatitur, e ku qytetarët mund të gjejnë të gjitha informatat e duhura lidhur me sportel ndihmës për qytetarë.
Nga java e kaluar Komuna e Rahovecit ka publikuar numrin e telefonit 0800 11 007 pa pagesë, ku qytetarët e interesuar mund të adresojnë shqetësimet, ankesat, pyetje apo edhe kërkesë për informatë tek zyrtarët komunal.
/Epoka e re/