Komuna e Rahovecit largon dy deponi ilegale

17 gusht 2021 | 15:49

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se mbrojtja e mjedisit mbetet një prej prioriteteve të kësaj komune.

Ai ka treguar se në kuadër të kësaj, të martën pastruam dy deponi ilegale në Zoqisht dhe në rrugën për Malishevë, si dhe trajtuan njërën prej deponive legale në këtë komunë.

“Edhe një herë, ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet në mbrojtjen e ambientit, fillimisht duke mos hedhur mbeturinat në vende joadekuate, si dhe duke i raportuar te autoritetet kompetente ata që ndotin mjedisin, duke hedhur mbeturinat në lokacione të padestinuara, të cilat më pas shndërrohen në deponi ilegale”, ka thënë Latifi.

Ai ka theksuar se Rahoveci është njëra prej komunave më të pastra, falë veprimtarive të shumëllojshme bujqësore dhe pozitës gjeografike, por edhe si rezultat i angazhimit të komunës në eliminimin e deponive ilegale.

“Është e drejtë e çdo qytetari që të jetojë në hapësirë e ambient të pastër, prandaj ju ftoj që së bashku ta mbajmë të pastër Rahovecin tonë”, ka deklaruar Latifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Investimet e Komunës së Gjilanit janë të vazhdueshme në të…