Komuna e Shtimes bëhet me E-kioskë
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme, Muhadin Halili, kanë përuruar E-kioskun e parë në këtë komunë, në të cilin qytetarët mund të pajisen me dokumentet e gjendjes civile.
“Sot po promovojmë E-kioskun dhe theksoj se kësisoj ofrohen shërbime më të lehta për qytetarët, pasi që ata nuk duhet të presin më në sportelet e administratës lokale për të njëjtat dokumente. Në kuadër të këtij projekti, ofrojmë shërbimin që qytetarët të pajisen më shpejtë me dokumentet e gjendjes civile”, ka thënë Ismajli.
Ndërsa, drejtori i Administratës së Përgjithshme të Shtimes, Muhadin Halili ka theksuar se E-kisoku do të jetë në shërbim 24 orë.
“Në kuadër të E-kioskut shërbimi i dhënies së dokumenteve të gjendjes civile do të jetë aktiv 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë, derisa qytetarët do të mund të marrin këto dokumente: ekstraktin e lindjes, certifikatën e lindjes, certifikatën e martesës, certifikatën e shtetësisë dhe certifikatën e vendbanimit. Parashihet që shumë shpejt qytetarët do të kenë mundësi të nxjerrin edhe dokumentet e tjera si ajo e tatimit në pronë dhe gjeodezi”, ka bërë me dije Halili.
/Epoka e re/