Komuna e Shtimes, fituese e grantit të performancës
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, është informuar nga Komisioni i Grantit të Performancës për kualifikimin e kësaj komune për marrjen e grantit të performancës për vitin 2017.
Me këtë rast, kryetari Ismajli ka falënderuar Komisionin e Grantit të Performancës për këtë grant.
“Në emër të institucionit të Komunës së Shtimes, në emër të qytetarëve të Komunës së Shtimes përshëndes dhe falënderoj Komisionin e Grantit të Performancës, kënaqësi që komuna jonë është kualifikuar sërish për marrjen e grantit të performancës, falë përmbushjes së kushteve të cilat përfshijnë: i) nënshkrimin e marrëveshjes së pjesëmarrjes trepalëshe; ii) marrjen e opinionit të pamodifikuar me theksim të çështjes nga Auditori; dhe iii) të kemi shpenzuar 75 për qind ose më shumë të buxhetit të investimeve kapitale. Jemi zotuar që të jemi pranë qytetarëve dhe do të vazhdojmë të ofrojmë shërbime cilësore për të gjithë qytetarët në komunën tone”, ka thënë Ismajli.
Rezultati i përgjithshëm i performancës së Komunës së Shtimes është 59 pikë, ka njoftuar stafi i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) dhe i projekti i DEMOS-it.