Komuna e Shtimes subvencionon gjashtë organizata joqeveritare
Gjatë kësaj jave, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale (DSHMS) ka arritur marrëveshjet për subvencionimin e gjashtë organizatave joqeveritare që kanë aplikuar për realizimin e projekteve të tyre.
Me këtë rast, drejtori i kësaj drejtorie, Labinot Beqa, ka bërë me dije se pas shpalljes së thirrjes publike për aplikim, kanë konkurruar tetë OJQ, prej të cilave gjashtë janë përfitues të subvencioneve, konkretisht Kryqi i Kuq i Kosovës, Handikos-i, Organizata Komunale e Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, Shoqata e të Burgosurve Politikë, Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së dhe Oda e Infermierëve të Kosovës.
Beqa ka theksuar se subvencionimi i OJQ-ve dhe shoqatave të lartpërmendura ka për qëllim mbështetjen financiare për realizimin e projekteve për zhvillimin e aktiviteteve avokuese, këshilluese dhe ofrimin e drejtpërdrejtë të shërbimeve sociale e familjare.
Të gjitha këto organizata janë nga Komuna Shtimes.
/Epoka e re/