Komuna e Skenderajt koordinon veprimet për parandalimin e koronavirusit
Kreu i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari të premten ka thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme të Shtabit Emergjent, lidhur më parandalimin e infeksionit COVID-19.
Gjatë kësaj mbledhje, kryetari Jashari së bashku me anëtarët e Shtabit u koordinuan për zbatimin e masave parandaluese që ka vendosur Komuna e Skenderajt gjatë ditës së djeshme.
Drejtoria për Shëndetësi ka dërguar ekipin mjekësor më gjitha pajisjet dhe mjetet e nevojshme në pikën kufitare në Jarinjë, por në anën tjetër ka edhe një ekipe mobile, rezervë për rastet e rrezikut.
Stacioni Policor në Skenderaj ka ofruar gatishmërinë e tij që sipas kërkesave të Komunës të intervenojë.
Inspektorati Komunal ka filluar inspektimet në qendrat tregtare, barnatore e biznese dhe për çdo rast të ngritjes artificiale të çmimeve do të aplikohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi.
I pari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari apelon qytetarët që në raste kur hasin në ngritje artificiale të çmimeve të kenë faturën e blerjes si dëshmi dhe të kontaktojnë në linjat e ATK-së 080080800 ose tek Inspektorati Komunal: 028/582-090 045/189-300 044/373-945.