Komuna e Skenderajt ofron lehtësira për çdo investitor
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, nënkryetari Nuredin Lushtaku dhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, kanë vizituar fabrikën “Adifix EPS”, e cila merret me prodhimin e materialit ndërtimor.
Kjo ndërmarrje ka filluar edhe një linjë të re prodhimi, atë të styroporit, e cila pritet të nis punën shumë shpejt, pasi pothuajse janë drejt finalizimit të montimit të pajisjeve të avancuara për prodhim.
Me këtë rast, kryetari Jashari e ka lavdëruar familjen Bajraktari për investimet në ndërtimin e kësaj fabrike. “Është për t’u lavdëruar investimi i familjes së vyer e punëtore Bajraktari në hapjen e linjës së re të prodhimit të styroporit EPS, përveç asaj të prodhimit të materialit ndërtimor, çka pritet që përveç punësimit të një numri mesatar punëtorësh, produktet e prodhuara në këtë fabrikë të eksportohen edhe jashtë tregut të Kosovës. Gjatë vizitës së bashku me nënkryetarin Nuredin Lushtaku dhe kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në fabrikën ‘Adifix’, pamë se pajisjet e nevojshme tashmë janë thuajse të montuara, dhe shpejt pritet prerja e shiritit çka shënon edhe fillimin e punës së fabrikës miliona euro investim”, është shprehur Jashari.
Komuna e Skenderajt mirëpret çdo investim si nga jashtë ashtu edhe brenda, të cilat ndikojnë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe mundësojnë zhvillim ekonomik, ndërkohë që kryetari Jashari është zotuar se do të jetë në shërbim me të gjitha lehtësirat dhe përfitimet të çdo investitori.
/Epoka e re/