Komuna e Skenderajt do të shfrytëzojë shërbimet e Telekomit të Kosovës
Punonjësit e Komunës së Skenderajt tash e tutje do t’i shfrytëzojnë shërbimet e Telekomit të Kosovës.
Nënshkrimin e kësaj kontrate e kanë bërë të premten ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina, dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.
Nënshkrimi i kësaj kontrate do të lehtësojë komunikimin e tërë personelit të Komunës së Skenderaj, punëtorëve arsimorë, shëndetësorë dhe gjithë punonjësve të sektorit publik, përmes pakove të reja PostPaid dhe PrePaid, ndërsa Telekomit të Kosovës do t’i sjellë në total afër 1200 konsumatorë të rinj.
“Komuna e Skenderajt rikthen besimin në Telekomin e Kosovës, Vala dhe nga tani e tutje të gjithë punonjësit e kësaj komune do të shfrytëzojnë shërbimet e operatorit tonë. Ndjehem jashtëzakonisht i nderuar që me kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari sot lidhëm kontratë për ofrimin e shërbimeve të Telekomit të Kosovës, Vala, dhe njëherësh u dakorduam që të kemi bashkëpunim reciprok në realizimin e suksesshëm të projekteve tona, që për qëllim kanë ofrimin e shërbimeve cilësore”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina.
Ai ka theksuar se Telekomi i Kosovës, Vala edhe në të ardhmen do të vazhdojë me përmbushjen e synimeve strategjike, duke u mundësuar qytetarëve, institucioneve publike dhe shtetërore si dhe bizneseve e ndërmarrjeve private, të shfrytëzojnë produktet dhe shërbimet me pako sa më të favorshme.
/Epoka e re/