Komuna e Vitisë me masa specifike kundër pandemisë COVID-19

19 prill 2020 | 14:50

Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Vitisë (KKMSh) është duke e mbikëqyrë me kujdes gjendjen e përgjithshme, pas shtrirjes së infektimit me COVID-19 edhe në lokalitete tjera të kësaj komune.

Në mbledhjen e sotshme të rregullt, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i  ka njoftuar anëtarët e KKMSh-së për takimin që ka pasur dje me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, zëvendësin e tij, Izet Sadiku si dhe me drejtorin e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHP) Naser Ramadani.

Haliti ka thënë se kanë pasur një diskutim të hapur dhe konstruktiv, me ç’rast iu ka parashtruar nevojat dhe shqetësimet që janë legjitime dhe të argumentuara sa i përket gjendjes në Komunën e Vitisë.

Më tutje, Haliti ka thënë se ka kërkuar më shumë mbështetje nga niveli qendror, sidomos në këtë fazë, kur rastet janë shtuar.

Ai ka theksuar se mbrëmë për fat të keq, edhe një person është diagnostifikuar me virus, por është lajm i mirë që 13 mostrat e marra në Smirë, kanë rezultuar negative.

Në këtë mbledhje është biseduar për organizimin e fazës së tretë të veprimit për menaxhimin e situatës.

“U rekomandua po ashtu që të shtohet mbikëqyrja e vatrave të infektimit, në mënyrë që të shmangen kontaktet me personat e infektuar. KKMSh-ja vendosi që të vazhdohet me trajtimin e hapësirave dhe objekteve publike me masat e pastrimit, klorifikimit dhe dezinfektimit, me theks të veçantë në lokalitetet nga vijnë të infektuarit. Po ashtu do të vazhdohet edhe me shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet me gjendje më të rënduar financiare”, ka njoftuar Komuna e Vitisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëshmori i kombit, Mejdi Korrani është përkujtuar me nderime të…