Komuna e Vushtrrisë merr vendim që të mos lejohen më shumë se 15 qytetarë përnjëherë në market
Komuna e Vushtrrisë, ka njoftuar se në mbledhjen e Shtabit Emergjent kanë marrë disa vendime, për të parandaluar mundësinë e përhapjes së koronavirusit.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Komuna ka bërë me dije se nuk do të lejohen që të hyjnë më shumë se 15 qytetarë në market përnjëherë dhe se personeli udhëheqës i marketeve do të duhet të kujdeset që konsumatorët të ruajnë distancën.
Kjo masë do të vlejë edhe për bizneset e tjera shërbyese në këtë komunë.
Njoftimi i plotë:
Me qëllim të ndërmarrjes së masave preventive në Komunën e Vushtrrisë, si dhe bazuar në informatat zyrtare për infektim me koronavirus COVID – 19 të dy qytetarëve në fshatin Smrekonicë për edhe mundësisë së përhapjes edhe në vendet tjera në Komunën e Vushtrrisë, Shtabi Emergjent komunal, në mbledhjen e mbajtur më 06.04.2020, merr këtë:
V E N D I M
- I rekomandohet personelit udhëheqës të marketeve në Vushtrri, që të ndërmarrin masat e duhura të kufizimit të hyrjeve të klientëve në marketet e tyre – të mos lejojnë që të hyjnë më shumë se 15 qytetarë përnjëherë dhe vet të kujdesen që konsumatrët brenda të ruajnë distancën.
- Masa e kufizimeve të hyrjes së qytetarëve në numër më të madh, nga i cili krijohet mundësia e infektimit me COVID -19 përmes kontakteve, do të vlejë edhe për dyqanet e bizneset tjera shërbyese në territorin e komunës.
- Mbikëqyrjen e zbatimit të këtij vendimi do ta bëjë Drejtoria e Inspektimeve – Inspektorati kompetent në bazë të legjislacionit në fuqi, e cila do të i njoftoj me shkrim subjektet e cekura më lartë lidhur me masat të cilat janë parapa të ndërmerren në bazë të këtij vendimi.
- Apelojmë të gjithë qytetarët e komunës të rrinë në shtëpi, të iu shmangen sa më shumë që të jetë e mundur daljeve nga shtëpitë e tyre sepse vetëm kështu parandalojmë përhapjen e Coronavirus, të ruajmë vetën, familjen dhe qytetin tonë.
Xhafer Tahiri
Kryetar i Komunës
Kryesues i Shtabit Emergjent.