Komuna e Vushtrrisë ndanë 63 krerë lopë për persona me asistencë sociale
Komuna e Vushtrrisë në bashkëpunim me shoqatën “Islamic Relief Kosova”, ka bërë shpërndarjen e 63 krerë lopë qumështore për personat me asistencë sociale.
Drejtori i Bujqësisë së kësaj komune, Miran Halili, ka bërë me dije se vlera e këtij projekti është 400 mijë euro.
“Ky projekt është projekt për persona me asistencë sociale. Është projekt i përbashkët në mes të Komunës së Vushtrrisë, Drejtorisë për Ekonomi, Bujqësi dhe Pylltari, dhe shoqatës ‘Islamic Relief Kosova’. Vlera e këtij projekti është mbi 400 mijë euro. Me këtë rast falënderoj ‘Islamic Relief Kosova’ që na ka mbështetë në këtë projekt për personat me asistencë sociale për të cilët mendojmë se do të ia lehtësojnë sado kudo jetën, ka thënë Halili.
Ndërsa përfituesi i kësaj ndihme, Remzi Ademi, ka falënderuar kryetarin Xhafer Tahiri, si dhe shoqatën ‘Islamic Relief Kosova’ për dhurimin e këtyre lopëve.
“Ky dhurim është shumë i mirë dhe të drejtë, dhe falënderojmë kryetarin e komunës, Xhafer Tahiri për këtë projekt që e ka realizuar për ne personat me ndihmë sociale dhe me aftësi të kufizuara për dhurimin e këtyre lopëve dhe i falënderohem shoqatës islamike që na kanë ndihmuar me këto lopë”, ka thënë Ademi.
Edhe përfituesja Fahrie Begu, ka falënderuar donatorët, ndërsa është shprehur e lumtur që është përfituese e kësaj ndihme.
Ndryshe, kusht për përfitimin e një lope ishte që përfituesit me qenë në asistencë sociale, si dhe të ketë stallën dhe ushqim për bagëti të paktën për një vit.