Komuna e Vushtrrisë ua rrit pagat punëtorëve të kompanisë publike “Përparimi”
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka marrë vendim që t’ua rrisë pagat punëtorëve të kompanisë lokale publike NPL “Përparimi” për 20 për qind, raporton Ekonomia Online.
Këtë e ka bërë të ditur të premten gjatë një takimi që ka mbajtur me ta, me ç’rast i ka falënderuar për punën e tyre për qytetarët e Vushtrrisë.
Me këtë rast, Idrizi ka thënë se që nga marrja e mandatit, fokus kryesor ka pasur mirëqenien e këtyre punëtorëve. Nga 292 euro sa e kishin deri më tani, paga e tyre do të jetë mbi 350 euro.
“Fillimisht më lejoni që t’u falënderoj për punën që jeni duke e bërë në teren e që me të vërtetë puna e juaj e ka pasqyruar aq mirë Komunën e Vushtrrisë, sa që është shembull, dhe kjo më ka motivuar që prej nga marrja e mandatit të jem i përkushtuar dhe më ka bërë të mendoj diçka për ju që ta keni një mirëqenie e një pagë më të mirë e që as unë nuk kam qenë i kënaqur. Dua të ju njoftoj se aksionar i kësaj ndërmarrjeje është Komuna e Vushtrrisë 100 për qind.
Pra të gjitha pagat, mëditjet dhe shpenzimet i paguan Komuna, por ne ato paga i paguajmë përmes shërbimeve, që do të thotë që këto punë që po i kryeni në mirëmbajtje të ambientit dhe për këtë arsye kemi nënshkruar marrëveshje me kryeshefin e ndërmarrjes, të cilin dua ta falënderoj për punën dhe kujdesin që vazhdimisht ka treguar për juve dhe bashkëpunimin që e ka pasur me Bordin e Ndërmarrjes”.
“Duke marrë parasysh këto, ka qenë kërkesë e imja dhe e Bordit që të gjinden mundësi, në mënyrë që ndërmarrja të jetë më stabile dhe një pjesë e tyre të shkojë për rritje pagash.
Në këtë mënyrë kemi ardhurnë përfundim që të ketë një rritje të pagës prej 20 për qind, çka do të thotë që pagën neto që e keni marrë deri më tani 292 euro, tani do ta merrni më shumë se 350 euro.
Këtu nuk do të ndalemi me kaq, sepse jemi të vetëdijshëm se nevojat e juaja janë më të mëdha, por mendojmë që do t’i rrisim shërbimet dhe që nga muaji qershor t’i marrim nën menaxhim edhe mbeturinat”, u shpreh Idrizi.