Komuna paralajmëron masa ndëshkuese ndaj borxhlinjve të mbeturinave
Komuna e Prishtinës nëpërmjet një komunikatë për medie ka bërë me dije se kushdo që nuk i paguan tri fatura radhazi të mbeturinave nuk do të mund të kryejë shërbime në disa drejtori komunale.
Pagesa për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave, është obligim për secilën amvisëri dhe secilin biznes.
“Rregullorja komunale parasheh masat që ndërmerr komuna ndaj atyre që nuk janë të rregullt me pagesa. Kushdo që nuk i paguan tri fatura radhazi, nuk mund të merr shërbim në: Drejtorinë për Kadastër; Drejtorinë për Urbanizëm, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit; Drejtorinë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim; Drejtorinë për Financa; Drejtorinë për Pronë; Drejtorinë për Inspekcion; Zyrën për Prokurimit. Duke e ditur që tashmë jemi në fund të shtatorit, pra në fund të tremujorit të tretë u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të kryejnë pagesën për muajt paraprak, ashtu që të mos i aplikojmë masat administrative që u theksuan më sipër. Të kontribuojmë të gjithë bashkë, për një kryeqytet sa më të pastër”, është thënë në komunikatën për medie të Komunës së Prishtinës.
Në vazhdimin e kësaj komunikate është theksuar se që nga janari i këtij viti Komuna e Prishtinës ka reformuar sistemin e menaxhimit të mbeturinave, me qëllim që të ketë shtrirje më të madhe në terren ky shërbim si dhe të rritet efikasiteti.
Në kuadër të kësaj reforme, qytetarët faturohen një herë në tre muaj, dhe pagesën mund të bëjnë në komunë, në postë, si dhe në institucione financiare.
/Epoka e re/