Komunat do të kompensohen për mjetet e shpenzuara gjatë pandemisë

31 maj 2020 | 08:33

Shuma prej 10 milionë eurosh, e ndarë për komunat në kuadër të Pakos Emergjente, po konsiderohet e pamjaftueshme për drejtorin ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Ibrahmi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se është ndarë një nënkod buxhetor, me të cilin komunat do të kompensohen për mjetet që kanë harxhuar por që, sipas tij, këto mjete janë të pamjaftueshme. “Gjatë konsultave që kemi pasur me Ministrinë e Financave na është rekomanduar dhe është ndarë një nënkod buxhetor, në të cilin është thënë se të gjitha shpenzimet e komunave që do të bëhen në luftën për parandalimin e Covid-19, të dërgohen në atë nënkod dhe në fund pastaj do të merret vendimi se në çfarë mënyrë do të kompensohen komunat për mjetet që i kanë harxhuar për parandalimin e Covid-19. Por, besoj se këto fonde nuk janë të mjaftueshme. 10 milionëshi është i pamjaftueshëm për atë çfarë kanë bërë komunat. Pothuajse të gjitha aktivitet të cilat janë zhvilluar deri më tani janë zhvilluar me mjetet nga buxhetet e komunave dhe shpresojmë që niveli qendror do ta bëjë rimbursimin e këtyre shpenzimeve sepse komunat vitin e kaluar kur e kanë hartuar buxhetin për këtë vit nuk i kanë paraparë këto shpenzime”, ka thënë Ibrahimi.

Ndër të tjera, ai ka thënë se të gjitha komunat që kanë qenë të prekura nga koronavirusi kanë qenë në shërbim të qytetarëve për 24 orë. “Në përgjithësi mund të themi se të gjitha komunat të cilat kanë qenë të prekura nga koronavirusi kanë dhënë maksimumin e tyre dhe pothuajse kanë qenë 24 orë në shërbim të qytetarëve. Që në fillim i kanë organizuar apo i kanë themeluar shtabet emergjente në të cilat kanë qenë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të Kryqit të Kuq, po ashtu edhe anëtarë të Institutit të Shëndetit Publik dhe kanë bërë një punë të jashtëzakonshme dhe thelbësore. Mendoj se komunat për kontributin që kanë dhënë janë vlerësuar edhe nga niveli qendror dhe nga qytetarët”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka shtuar se komunat kanë marrë vendime edhe për lehtësimin e bizneseve sa i përket uljes së qirave. Ibrahimi thotë se komunat i  kanë hequr tërësisht taksat e bizneseve. “Komunat kanë marrë disa vendime sa i përket qirasë së bizneseve, e sa i përket uljes së taksave ndaj bizneseve disa komuna i kanë hequr tërësisht taksat ndaj tyre, mirëpo janë bërë disa lehtësira sa i përket mospagimit të gjobave në rast se nuk e paguan me kohë tatimin në pronë. Dhe kemi marrë një vendim me kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës që edhe për gjendjen civile, nëse nuk e keni regjistruar fëmijën nëse ka lindur gjatë kësaj kohë, atëherë nuk do të keni gjoba nëse nuk e keni paraqitur me kohë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria në detyrë mbrëmë ka marrë vendim që të ndajë…