Komunat e Kosovës përgatiten për procesin e imunizimit

29 mars 2021 | 13:19

Qeveria e Kosovës është duke u koordinuar me komunat për shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se pas një takimi që kanë zhvilluar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, janë informuar se qytetarët në komunat e Kosovës, do të kenë mundësinë që shumë shpejt të marrin vaksinat kundër Covid-19.

“Trembëdhjetë mijë doza do t’i jepen stafit shëndetësor, i cili është duke u përballur me pandeminë në vijë e parë të frontit dhe 11 mijë doza do të shpërndahen gjithashtu në këtë kontingjent dhe do tu jepen personave të cilët kanë moshën mbi 80 vjeçare dhe të cilët kanë sëmundje kronike, kështu na është thënë nga ana e ministrit Vitia”, ka shpjeguar Ibrahimi.

Ai ka thënë se komunat e Kosovës, janë të përgatitura për procesin e vaksinimin të popullatës.

“Në Qendrat e Mjekësisë Familjare, stafi është i përgatitur. Ka njohuri sa i takon dhënies së vaksinave dhe në këtë rast janë trajnuar edhe për Covid-19”, ka deklaruar ai.

Sipas një plani për vaksinim, që është i ndarë në tri faza, Kosova planifikon që fillimisht të vaksinojë punëtorët shëndetësorë, personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike.

Të dielën, më 28 mars, në Kosovë arriti kontingjenti i parë i vaksinës kundër koronavirusit, të kompanisë “AstraZeneca”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se 24.000 dozat e vaksinës do të përdoren fillimisht për të vaksinuar punëtorët shëndetësorë të Klinikës Infektive. Ai ka pohuar se fushata e imunizimit do të nisë gjatë kësaj jave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Los Angeles Lakers siguruan fitoren e dytë radhazi në NBA,…