Komunat grumbullojnë 42.3 milionë euro nga të hyrat e tatimit në pronë
Komunat kanë shënuar rritje të të hyrave në pronë me miliona euro në krahasim me vitin e kaluar.
Ndonëse nuk ka përfunduar ende ky vit, komunat kanë arritur që t’i grumbullojnë të hyrat nga tatimi në pronë në vlerë mbi 42 milionë euro, ose rreth 95 për qind të të hyrave, nga 44.5 milionë sa është e paraparë.
Me ç’rast, edhe falja e cila është paraparë në Ligjin për Tatimin në Pronë, e që është në Gjykatë Kushtetuese, nuk ka nevojë të ndodhë.
Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Ibrahimi në një intervistë për “KosovaPress”, thekson se gatishmëria e qytetareve të paguajnë tatimin në pronë, ka qenë jashtëzakonisht e madhe.
Sipas tij, edhe pse janë hequr disa kushtëzime në këtë drejtim, nuk ka munguar gatishmëria e qytetarëve të paguajnë tatimin.
“Nga shuma totale e cila është e planifikuar për vitin 2023 që komunat t’i mbledhin nga tatimi në pronë, e që është e hyra kryesore e komunës, ka qenë e planifikuar që komunat të mbledhin rreth 44.5 milionë euro, deri në këto ditët e fundit, komunat kanë arritur që t’i grumbullojnë të hyrat nga tatimi në pronë në vlerë prej 42.3 milionë euro, që në përqindje i bie rreth 95 për qind të të hyrave vetjake nga tatimi në pronë. Pra, është bërë një punë e mrekullueshme nga autoritetet lokale në grumbullimin e të hyrave vetjake nga tatimi në pronë, por, gjithashtu po shihet se gatishmëria e qytetarëve është që të paguajnë tatimin në pronë edhe pse gjitha kushtet sa i përket pagesës të tatimit në pronë janë larguar”, është shprehur Ibrahimi.