Komunat kërkojnë heqjen e kufizimit të lëvizjes dhe zgjatjen e orarit të punës në gastronomi

24 korrik 2020 | 12:19

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga qeveria, konkretisht Ministria e Shëndetësisë dhe ministria e Punëve të Brendshme që të rishqyrtohen masat kundër pandemisë.

Me anë të një komunikate për medie, ky asociacion ka bërë me dije se i ka dërguar letër ministrave Armend Zemaj dhe Agim Veliut, ku i kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me kufizimin e lëvizjeve.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon edhe një herë që të hiqen masat e kufizimit të lëvizjes dhe të zgjatet orari i punës në gastronomi sepse po shihet qartë se këto masa nuk kanë dhënë ndonjë rezultat pozitiv në parandalimin e përhapjes së Covid-19”, është thënë në letrën e AKK-së.

Letra e plotë dhe pa ndërhyrje e AKK-së:

Bordi Asociacionit të Komunave të Kosovës ka analizuar situatën me zhvillimet në menaxhimin e parandalimit të pandemisë Covid-19, prej datës 05 korrik 2020 deri më 23 korrik 2020 dhe vlerësojnë se është koha që masat e parapara me vendimin e Qeverise së Republikës së Kosovës të datës 05 korrik 2020 të ri-shqyrtohen. Duke marrë parasysh që me 5 korrik 2020 numri total i rasteve pozitive me Covid-19 ishte 3.508, ndërsa dje me 23 korrik ky numër ka shkuar në 6.467 raste të infektuar me virusin SARS-CoV-2 po shihet qartë që masat e parapara me 05 korrik nuk kanë dhënë efektin e dëshiruar dhe që këto masa duhet të rishqyrtohen.

Po shihet qartë që kufizimi i lirisë së lëvizjes në komunat kryesore të Republikës së Kosovës dhe masat që janë ndërmarrë për sektorin e gastronomisë, (koha e aktivitetit të ekonomik të jetë i kufizuar nga ora 21.00 – 05.00), nuk paskan qenë masa përkatëse në parandalimin e përhapjes së Covid-19. Prandaj, me këtë rast, kërkojmë nga Ju që në këtë kuadër të hiqet orari i kufizimit të lëvizjes dhe të niset me lirimin e disa masave për gastronominë, të cilat ishin të vendosura në pikën 9 të vendimit të Qeverisë së Kosovës, nr. 01/10 të datës 5 korrik 2020. Pra, kërkohet që masat të rishikohen në mënyrë që parandalimi i përhapjes së Covid-19 të jetë më i suksesshëm.

Masat e deritashme, sipas statistikave të përgjithshme, nuk kanë ndikuar në uljen e numrit të të infektuarve me Covid-19. Prandaj bazuar në këto statistikat, masat e datës 5 korrik nuk kanë dhënë ndonjë impakt në këtë ulje.

Në anën tjetër këto masa po ndikojnë në ekonominë vendore me theks tek punësimi dhe sipërmarrësit në nivel vendi, sidomos tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të cilat janë duke shkuar drejt falimentimit.

Prandaj, kjo ka filluar të reflektohet edhe tek qarkullimi i parasë dhe tek të hyrat e një pjese të punëtorëve. Një pjesë e tyre si pasojë e këtyre masave janë duke punuar me gjysmë orari që do të thotë i marrin pagat për gjysmë ose janë në pushime pa pagesë.

Shqetësuese në këtë drejtim mbetet sektori i gastronomisë. Ky komunitet i ka shprehur shqetësimet tek Kryetarët e Komunave për pasojat e masave në këtë sektor.

Një element shtesë në këtë drejtim është se gjatë orëve të mbrëmjes qarkullimi është 12 për qind i ditës punuese (7-24) dhe mos puna gjatë mbrëmjes ka efekt negativ 50-60 për qind e qarkullimit ditor tek gastronomia. Kjo për faktin se gjatë ditës ka frekuentim më të vogël, për shkak të punës dhe temperaturave të larta, derisa orët e mbrëmjes janë më produktive në gastronomi.

Andaj duke marrë për bazë të gjitha këto, Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon edhe një herë që të hiqen masat e kufizimit të lëvizjes dhe të zgjatet orari i punës në gastronomi sepse po shihet qartë se këto masa nuk kanë dhënë ndonjë rezultat pozitiv në parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Është edhe zotimi ynë se, paralel me heqjen e këtyre kufizimeve duhet të vazhdohet më respektim edhe më të madh të rekomandimeve e protokolleve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, pra disatnca fizike, bartja e maskave dhe mbajtja e higjienës personale.

Me shpresë së këto kërkesa do të hasin në mirëkuptimin tuaj, besojmë se bashkëpunimi mes dy niveleve të qeverisjes do të vazhdoj dhe do të thellohet në betejën e përbashkët anti-Covid-19, por gjithnjë në funksion të shëndetit të popullatës dhe zhvillimit të ekonomisë vendore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari Ermal Fejzullahu ka kritikuar kolegët e tij që po…