Komunat kërkojnë nga MSh-ja dërgimin e barnave esenciale

03 shtator 2021 | 11:55

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka thënë se gjendja nëpër komuna me pandeminë nuk është aspak e mirë, dhe se shqetësimi kryesor i tyre është mungesa e barnave esenciale.

Ibrahimi ka thënë se kërkesa kryesore e komunave është që sa më shpejtë që është e mundur ministria e Shëndetësisë t’i furnizojë me barna.

“Përveç që kemi bashkëpunim dhe kontakte gati përditë me kryetarët e komunave kemi edhe me drejtorët komunalë të shëndetësisë, ku ka shqetësime nga ta duke shpresuar që lakorja e të infektuarve të bie. Ka shqetësime sidomos sa i përket barnave të listës esenciale po që Qeveria ka obligim t’u ofrojë komunave këto barna e ndër to edhe ‘rendesiviri’ si bari kryesor në luftimin e Covidit. Komunat kërkojnë që sa më shpejtë që është  e mundur ministria e Shëndetësisë t’i dërgojë barnat të cilat parashihen nga lista esenciale”, ka thënë Ibrahimi për “EO”.

Sa i përket procesit të vaksinimit, ai ka thënë se interesimi është shtuar dukshëm, e krahas kësaj shtuar se duhet të punohet edhe të dielave dhe kapaciteti i stafit shëndetësor të jetë më i madh.

“Po e kemi ngrit edhe këtë shqetësim duke kërkuar që vaksinimi i popullatës pasi që interesimi është shtuar dukshëm të bëhet vaksinimi edhe gjatë vikendeve, dhe shpresojmë që edhe dita e diele të procedohet për vaksinim. Gjithashtu ne kemi kërkuar që të kemi edhe qendra të reja të vaksinimit që të mos kemi grumbullim të qytetarëve para qendrave të vaksinimit”.

“Kryetarët e komunave kanë vënë në dispozicion të gjitha objektet e menaxhuara nga komuna që të bëhet vaksinimi si duhet. Përndryshe edhe një kërkesë e kryetarëve është që përveç se të punohet gjatë vikendit, duhet edhe shtimi i stafit shëndetësor dhe në të ardhmen të ketë edhe më shumë staf i dedikuar vetëm për komuna”, ka thënë Ibrahimi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Teksa shumica e njerëzve janë rikthyer në punë, Françeska Jaçe…