Komunat kërkojnë rishikimin e afatit të raportimit në përmbushjen e obligimeve nga agjenda evropiane
Asociacioni Komunave të Kosovës (AKK) ka organizuar takimin e radhës të Kolegjiumit të Zyrtarëve Komunalë për Integrime Evropiane (ZKIE) në kuadër të koordinimit dhe zhvillimit të aktiviteteve të parapara në funksion të realizimit të planit të punës.
Edhe një herë zyrtarët komunalë për integrime evropiane diskutuan mbi sfidat në përmbushjen e aktiviteteve dhe punës që e pret Kolegjiumin për këtë vit.
Në fillim të takimit, Gani Berisha, menaxheri i programit në AKK i ka njoftuar anëtarët e Kolegjiumit për Integrime Evropiane për aktivitetet konkrete që janë zhvilluar në vitin e kaluar, respektivisht për rolin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, në aktivitetet lobuese, përfshirë hartimin e kërkesave dhe rekomandimeve që dalin nga strukturat e AKK-së, me objektiv të qartë përmirësimin e shërbimeve të vetëqeverisjes lokale në nivel vendi.
Në këtë takim është theksuar se zbatimi i rregullores nr. 08/2011 për organizimin dhe përgjegjësitë e zyrave komunale për integrime evropiane, mbetet sfidë në zbatimin e plotë, ku specifikon se zyrat për integrime evropiane shtrihen në të gjitha komunat dhe janë përgjegjëse për koordinimin e procesit në zhvillimin e kornizës rregulluese të politikave të komunës që ndërlidhen me procesin e integrimit evropian.
Njëra ndër temat e trajtuara ishte edhe afati i paraparë në raportimin periodik tek Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në përcaktimin e veprimeve në fushat të cilat komunat janë përgjegjëse, me qëllim përmirësimin e arritjeve komunale në procesin e integrimeve evropiane.
Kërkesë e qartë e zyrtarëve komunal për integrime evropiane ishte që afati i raportimit duhet të jetë (15-31 janar dhe 15-31 korrik), me qëllim të informimit të duhur në fusha të ndryshme të procesit të integrimit evropian në nivel lokal.
Bashkëpunimi në mes nivelit qendror dhe atij lokal mbetet për t’u dëshiruar sa i përket diskutimit të çështjeve që ndërlidhen me procesin e integrimit evropian të Kosovës, anëtarët e Kolegjiumit edhe një herë kërkuan shtimin e koordinimit reciprok të aktiviteteve me MAPL-në, përmes angazhimit të mirëfilltë në zbatimin agjendës evropiane.