Komunat kërkojnë shpërndarjen e teksteve mësimore nëpër shkolla nga MASHTI

19 korrik 2022 | 16:44

Kolegjiumi për Arsim vazhdon angazhimin në diskutimin e çështjeve dhe problematikave aktuale në fushën e arsimit para fillor në komuna.

Drejtorët komunal edhe një herë ngritën një radhë të temave të cilët konsiderojnë se duhet të ketë një shqyrtim dhe angazhim reciprok në koordinim me Ministrinë e Arsimit.

Sa i përket administrimit të testit të arritshmërisë dhe atij të maturës, komunat vlerësojnë se ka përmirësime, por se duhet të ndërmerren masa në përmirësimin e mëtutjeshëm të kushteve për organizmin me sukses të këtij procesi, me theks të veçantë kujdesin dhe pamundësimin e çdo lloj parregullsie në të ardhmen.

“Menaxhimi i shpërndarjes së teksteve shkollore ishte edhe njëra ndër temat e cila ndërmori vëmendje duke marrë parasysh se DKA-të po ballafaqohen me shpërndarjen e teksteve në shkolla edhe pse një gjë e tillë është kompetencë e kompanive botuese. Andaj duhet të gjendet një alternativë në tejkalimin e kësaj situate në mes të tre palëve MASHTI – DKA – kompani botuese, për shpërndarjen efikase të teksteve shkollore në mënyrë që të mos ketë komplikime të panevojshme në ecurinë e procesit të shpërndarjes në adresat përfundimtare në shkolla”, ka njoftuar Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Po ashtu, sipas AKK-së, analizimi teksteve shkollore nga aktivet shkollore, mbetet shqetësim i vazhdueshëm duke marrë parasysh kohën e shkurtër në përgatitjet e duhura, si dhe përcaktimi i teksteve nga shtëpi botuese të ndryshme mund të shkaktojë huti tek nxënësit dhe mësimdhënësit në shkolla të ndryshme.

Në anën tjetër përhapja e rasteve me Covid-19, ngrit dyshime për funksionimin e institucioneve parashkollore, nëse duhet të merren masa të duhura në zbatim të masave dhe protokolleve të cilat janë hartuar sipas rekomandimeve të IKSHP-së për procesin arsimor.

Duke marrë parasysh rëndësinë e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), kryesuesi i Kolegjiumit Samir Shahini theksoi përpjekjet që në një afat të shpejtë të organizohet një takim i përbashkët me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci në diskutimin dhe koordinimin e politikave lokale më ato qendrore në avancimin dhe ndërtimin e politikave sa më të mira në fushën e arsimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
21.07.2022 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Prishtinë 1.…