Komunat kërkojnë transparencë nga qeveria edhe koordinim të plotë
Organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) është mbajtur takimi i Këshillit të kryetarëve për të diskutuar lidhur me grantet qeveritare 2023 për Komunat e Kosovës dhe unifikimin e qëndrimit të Komunave për Komisionin e Granteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ky takim është organizuar në vigjile të takimit të Komisionit të Granteve (e paraparë për sot pasdite e ku ndërkohë u njoftua se është shtyer për disa ditë) dersia Komunat e Kosovës përfaqësohen në këtë Komision me katër kryetarë, Përparim Rama (Prishtinë), Alban Hyseni (Gjilan), Sokol Haliti (Viti) dhe Dragan Petkovic (Partesh).
Kryesuesi i këtij takimi Sokol Haliti – anëtar i Bordit të AKK-së, pasi paraqiti rendin e ditës ka arsyetuar këtë takim duke thënë se komunat duhet të koordinohen para takimit të Komisionit të Granteve dhe me theks tek financimi komunal në periudhën 2023-2025.
Kryetari Haliti në vazhdim potencoi problemet dhe sfidat që kanë komunat në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe ato me kontratat kolektive.
Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka thënë se është hera e parë që takimi i Komisionit të Granteve mbahet pa asnjë material për mbledhje dhe komunat nuk dinë se si të veprojnë dhe çka të paraqesin para nivelit qendror.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke qenë edhe anëtar i Komisionit të Granteve tha se ende nuk kanë materiale për këtë takim por janë këtu që të marrin mendimin e gjitha komunave.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se si komuna janë të papërgatitur për këtë takim, pasi sipas tij, nuk mund të shkohet në një takim pa asnjë material pune për mbledhje.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se për këtë moskoordinim të mirëfilltë mes komunave dhe qeverisë në fund do të pësojnë qytetarët tanë.
Ai ka thënë se përveç problemeve tjera kryesore është çështja e Kontratës Kolektive e cila po dëmton në masë të madhe komunat, që sipas tij u nënshkrua nga ministra të caktuar pa asnjë koordinim me komunat.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se në takim duhet të shkohet për t’i paraqitur brengat e komunave.
Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniq, ka theksuar se në Komisionin e Granteve dhe tek financimi komunal në periudhën e ardhshme duhet të kihen parasysh edhe komunat e vogla sipas formulave të deritashme.
Në këtë takim kanë debatuar edhe kryetarët tjerë të komunave dhe ata në fund u dakorduan që komunat të jenë unike në qëndrimin e tyre sepse kjo është në interes të pushtetit lokal në Kosovë dhe vet qytetarëve të tyre.