Komunat paguajnë mbi 12 milionë euro për vendimet gjyqësore
Lëvizja FOL, në kuadër të projektit “Transparencë dhe llogaridhënie komunale për taksapaguesit”, të mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, është në proces të monitorimit të pagesave komunale, të cilat rrjedhin si rezultat i vendimeve gjyqësore.
Elbasan Racaj nga Lëvizja FOL ka thënë se kanë monitoruar shumën e pagesave nga vendimet gjyqësore gjatë viteve 2017, 2018 dhe për periudhën janar – tetor 2019 në të gjitha komunat e Kosovës.
“Komunat gjatë periudhës janar-tetor 2019 kanë paguar në total shumën prej 12,458,861.00 euro, gjegjësisht mesataren prej 2.22 për qind të buxheteve të tyre”, ka thënë Racaj.
Sipas tij, në këtë periudhë, gjashtë komunat me më së shumti pagesa, krahasuar më buxhetet e tyre fillestare, kanë qenë: Leposaviqi 1,334,356.02 euro (28.74 për qind të buxhetit komunal); Ferizaj 3,726,38.85 euro (10.08 për qind); Mitrovica e Jugut 1,254,422.54 euro (6.33 për qind); Deçani 401,069.37 euro (4.48 për qind); Gllogoci 550,829.24 euro (3.63 për qind); dhe Kllokoti 40,421.92 euro (3.26 për qind).
Sa i përket vitit 2018 shuma e paguar nga komunat për vendimet gjyqësore kanë qenë rreth 16,360,705.42 euro apo 3.28 për qind të buxheteve të tyre.
Ndërkaq për vitin 2017 komunat kanë paguar shumën prej rreth 8,142,310.0 euro apo mesataren prej 1.81 për qind të buxheteve.
Sipas Racajt, sfida kryesore, në mbledhjen e këtyre të dhënave ka qenë gjetja e të njëjtave në raportet financiare të komunave.
Një pjesë e komunave nuk publikojnë raporte financiare, kurse një pjesë tjetër e komunave raportet financiare i publikojnë në formate të ndryshme dhe vështirë të lexueshme nga publiku.
Lëvizja FOL, në kuadër të mbledhjes së këtyre të dhënave, ka shfrytëzuar raportet financiare të komunave, të dhënat e ofruara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe të dhënat e publikuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
/Epoka e re/