Komunat përgatiten për të përfituar grante nga BERZh-i
Para disa javësh kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga përfaqësuesit e komunave që të hartojnë projekte me të cilat mund të konkurrojnë për grante të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).
Rreth kësaj kërkese, përfaqësues të komunave kanë thënë se do të aplikojnë me projekte që i vlerësojnë të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës.
Bekim Dobra, zëdhënës i komunës së Drenasit, ka thënë se do të aplikojnë me tri projekte, por me prioritet, sipas tij, do të jetë projekti për rregullimin e lumit “Drenica”, i cili është në gjendje të keqe.
“Kemi menduar të aplikojmë me tri projekte, njëri nga projektet janë edhe kolektorët e lumit ‘Drenica’ me tri degëzimet e saj, që vlera e tij kap shumën mbi 2 milionë euro”, ka theksuar Dobra.
Ndërsa zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë se ende janë në fazën e mbledhjes dhe klasifikimit të projekteve nëpër komuna. Sipas saj, deri me tani kanë identifikuar disa projekte.
“Po i përmendim vetëm disa nga to, që janë: unaza e jashtme e Prishtinës dhe kolektori kryesor për pastrimin e ujërave të zeza në Suharekë. Takimi do të mbahet më 26 shkurt, 2018 në Londër, dhe deri atëherë të gjitha komunat e interesuara, por edhe bizneset private, janë të ftuar që t’i prezantojnë projektet e tyre”, ka thënë Gashi. (RTKlive).