Komunat po aplikojnë kërkesa shumë të larta diskriminuese në dosje të tenderëve
Organizata Iniciativa për Progres (INPO), në kuadër të projektit “Kërko Drejtësi: Fuqizimi i qasjes në drejtësi në Kosovë”, me mbështetje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), të mërkurën nëpërmjet konferencës për medie ka publikuar raportin me titull “Procesi i prokurimit dhe menaxhimi i kontratave 20 komuna”.
Qëndrim Arifi, hulumtues i lartë në INPO, hapi konferencën duke treguar përmbajtën e raportit dhe metodologjinë që ka ndjekur INPO gjatë procesit të monitorimit.
Arifi theksoi që raporti përfshin monitorimin e më shumë se 80 tenderëve dhe ky raport brenda vetes përmban edhe komentet e komunave të fokusit. Pas kësaj, me qëllim të prezantimit të gjetjeve të raportit fjala u kalua tek hulumtuesja e INPO-s, Leorenta Alija
Alija potencoi se rezultatet e hulumtimit tregojnë se përkundër obligimit me dispozita të caktuara ligjore që tenderët e iniciuar të jenë të parashikuar me plan të prokurimit, AK-të përkundër një përmirësimi nga viti i kaluar, ato ende vazhdojnë që të shkelin këto dispozita.
Gjetjet e hulumtimit tregojnë se komunat janë duke aplikuar kërkesa shumë të larta, joproporcionale, diskriminuese dhe jovalide në dosje të tenderëve.
Konkretisht, 7 nga 20 komunat e monitoruara kanë aplikuar këto kërkesa, ndërsa gjashtë 6 komuna tjera kanë larguar kërkesat joligjore pas reagimeve dhe rekomandimeve të INPO-s.
Një dukuri mjaft shqetësuese gjatë zhvillimit të procesit të prokurimit është përdorimi i shpeshtë i formularit B54 për korrigjimin e gabimeve në dosjen e tenderit, konkretisht në 9 nga 20 komunat e monitoruara janë evidentuar këta formularë të cilët janë tregues i qartë për lëshime dhe joprofesionalizëm në hartimin e dosjes së tenderëve.
Alija vazhdoi duke theksuar se komunat janë duke e keqpërdorur mundësinë ligjore për shkurtim të afateve për pranimin e tenderëve.
Në fakt 7 nga 20 komunat e monitoruara kanë shkurtuar afatet për pranimin e tenderëve duke ndikuar direkt në numrin e OE-ve të cilët ofertojnë dhe në cilësinë e ofertave të pranuara.
Tutje, hulumtimi vë në pah se si komunat për shërbimin e njëjtë paguajnë çmime të ndryshme prej vitit në vit, ndërsa krahasuar me komunat tjera çmimet janë diametralisht të kundërta. Tutje, në, pesë komunat e monitoruara INPO ka evidentuar raste kur anëtarët e komisioneve për vlerësim të tenderëve nuk kanë pasur profesion as të përafërt me natyrën e kontratës që nënkupton se nuk kanë pasur kapacitet profesional për vlerësim të tenderëve. Përveç kësaj, janë evidentuar edhe raste kur tenderët janë vlerësuar nga persona të paautorizuar.
Sa i përket aspektit të menaxhimit të kontratave, rezultatet e hulumtimit tregojnë se disa komuna përkundër obligimit ligjor dhe thirrjeve të vazhdueshme nga KRPP, të njëjtat nuk publikojnë kontratat në platformën e-prokurimi, kjo shkelje ligjore është evidentuar në 5 nga 20 komunat e monitoruara.