Komunat të gatshme të nisin mësimin në shkolla që nga 1 shtatori
Përkundër situatës së krijuar me pandeminë, komunat e vendit janë të gatshme të nisin mësimin në shkolla që nga 1 shtatori.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se në bazë të bisedimeve me kryetarët komunalë dhe bisedat me krerë të ekzekutivit janë të përgatitur për vitin e ri shkollor. Kjo për shkak se, sipas tij, gjatë dy javëve të fundit Kosova ka shënuar rënie për 16 për qind të të infektuarve.
Kthimin e tërësishëm në objektet shkollore për nxënësit po e kërkon edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës. Kryetari i këtij këshilli, Ymret Reshiti, thotë se ata nuk përkrahin mësimin në distancë, raporton KOHA.
Ndërkohë që me propozimin e ministrit të arsimit, Ramë Likaj, kabineti qeveritar pritet të diskutojë për hapjen e shkollave gjatë javës së ardhshme.
Skenarët e paraparë nga MASH-i për fillimin e vitit të ri shkollor përfshijnë mësimin me prezencë në institucionet shkollore me masa parandaluese, rikthimi i pjesshëm me mësim në prezencë dhe mësim në distancë, si dhe skenari i fundit mbetet mësimi në distancë.
Si shkak i përhapjes dhe rasteve me koronavirus, prej 11 marsit, të gjitha institucionet arsimore vazhdojnë të mbesin të mbyllura.