Komunikimet e BE-së, në shënjestrën e hakerave
Disa hakerë kanë shënjestruar me sukses komunikimet diplomatike të Bashkimit Evropian disa vjet me radhë, ka raportuar “The New York Times”.
Në mijëra mesazhet e prekura janë përmendur një varg çështjesh e personash, duke përfshirë edhe presidentin amerikan, Donald Trump.
Ky rast është raportuar të jetë zbuluar nga kompania për siguri kibernetike Area 1.
Megjithatë zyrtarët evropianë kanë thënë se informacioni i klasifikuar si konfidencial nuk është prekur nga hakimi trevjeçar.
Një ekspert i ka thënë “New York Times” se metodat e përdorura nga hakerët kanë qenë të njëjta me ato që janë përdorur më parë nga ushtria kineze.
“Pas gati një dekade eksperiencë në luftimin e operacioneve kibernetike kineze, nuk ka asnjë dyshim se fushata është e lidhur me Qeverinë kineze”, ka thënë ai.
Sipas raporteve, pjesë e hakimit kanë qenë edhe disa institucione tjera, duke përfshirë Kombet e Bashkuara./tch/