Komunitetet në Vushtrri trajnohen në zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe partneri implementues, Kryqi i Kuq i Kosovës, organizuan të premten një ushtrim fushor për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë në fshatin Maxhunaj në komunën e Vushtrrisë.
Ushtrimi ishte pjesë e planit komunal të punës për të testuar kapacitetet operacionale në rastet e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera dhe për të trajnuar më tej pjesëmarrësit në parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ndaj fatkeqësive në një mënyrë që u shërben nevojave të gjinive të ndryshme, si dhe ndërtimin e besimit brenda komunitetit ku po zhvillohet stërvitja.
Në ushtrim morën pjesë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, zjarrfikësve, Qendrës së Mjekësisë Familjare, përfaqësuesve të Organizatave të Shoqërisë Civile, institucioneve arsimore, komuniteteve lokale dhe të gjitha institucioneve të tjera përkatëse të komunës së Vushtrrisë.
Rreth 200 pjesëmarrës ishin të përfshirë drejtpërdrejt në këtë ushtrim dhe më shumë se 1 800 sosh në aktivitetet përgatitore, ku rreth 60 për qind prej tyre ishin meshkuj dhe 40 për qind femra.
Ushtrimi u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i besimit përmes reduktimit të rrezikut nga fatkeqësitë dhe përfshirjes gjinore” i financuar bujarisht nga qeveria e Japonisë qëllimi i të cilit është përshpejtimi i procesit të ndërtimit të kapaciteteve të autoriteteve përgjegjëse lokale dhe qendrore përgjegjëse për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë.
/Epoka e re/