Komuniteti i artistëve nderon regjisoren Arzana Kraja
Komuniteti i artistëve ka organizuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës një mbledhje përkujtimore për regjisoren Arzana Kraja, e cila ka ndërruar jetë ditë më parë në banesën e saj.
Miq, kolegë e profesorë kanë folur fjalët më të mira për regjisoren Kraja për të cilën kanë thënë se ka lënë mbrapa një pasuri të çmueshme artistike.
Mikja e studimeve, Zana Radogoshi, ka shpalosur para të pranishmëve momente nga e kaluara me Arzanën, duke thënë se ajo kishte pasur një rol të rëndësishëm në jetën e saj profesionale dhe personale.
Ndërsa një ndër bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë, profesori dhe aktori Shkumbin Istrefi, me të cilin kishin qenë pjesë e serialit vendor “Kafeneja jonë” për më shumë se 10 vite dhe së fundmi edhe në filmin “Fusha e mëllenjave”, e ka vlerësuar lartë regjisoren Kraja.
Ai ka thënë se Arzana Kraja ishte e përkushtuar shumë në punë dhe kërkonte përkushtim e sukses në çdo projekt.
Istrefi ka deklaruar se regjisorja Kraja nuk bënte asnjëherë kompromis me vlerat dhe se e ka të vështirë të pranojë që ajo nuk është më.
“Arzana ishte e përkushtuar në punë në kohën kur kjo cilësi nuk vlerësohet. Lexonte kur leximi konsiderohej humbje kohe. Kërkonte dije kur dija nuk është në modë. Ishte shok kur ky virtyt është shndërruar në interes për manipulim. Arzana insistonte në vlerë edhe aty ku të gjithë ishin të gatshëm të hiqnin dorë. Arzana mbronte vlerat njerëzore dhe mbeti njeri me vlera që sot rrallë mund t’i hasim. Nuk bënte kompromis me vlerat, por në fund bëri kompromis me jetën. E kam tejet të vështirë të mirëkuptoj dhe të pranoj që Arzana nuk është më. Jam përjetësisht falënderues dhe krenar që pata rastin ta njoh”, ka thënë Istrefi.
Në anën tjetër profesori Zymber Kelmendi, i cili ishte mentor i Arzanës në studimet master, ka thënë se kishte pasur fatin të punonte me një njeri jo vetëm të talentuar, por edhe me bagazh të madh profesional.
Kelmendi ka thënë se Kraja nuk ishte vetëm regjisore e fotografive të bukura, por edhe skenariste e ideve të thella.
“Kisha fatin që gjatë këtij viti të fundit të jem afër Arzanës në procesin e punës së saj kreative, jo si udhëheqës, por si një bashkërrugëtues, pasi Arzana Kraja nuk ishte vetëm regjisore e fotografive të bukura por edhe skenariste e ideve të thella”, ka thënë Kelmendi.
Në mbledhje përkujtimore në emër të familjes Kraja, ka folur motra e Arzanës, Gresa Kraja.
Ajo ka thënë se Arzana do të duhet të kujtohet vetëm e buzëqeshur, duke kënduar e vallëzuar dhe në asnjë mënyrë tjetër.
“Arzana ka qenë shpirt i bardhë e cila na la fizikisht por nuk do të na lejë kurrë shpirti i saj, ka me qenë gjithmonë me ne, e buzëqeshur duke kënduar e duke vallëzuar, e vetëm ashtu duhet ta kujtojmë. Në asnjë rrethanë tjetër. Në emër të familjes Kraja ju falënderoj”, ka thënë Gresa.
Në fund të kësaj mbledhje në Teatrin Kombëtar të Kosovës janë shfaqur edhe veprat filmike të Arzana Krajës.