Komuniteti i inteligjencës amerikane: Dodiku po merr hapa për shkëputjen de-facto të Republikës Sërpska
Ballkani Perëndimor mbase do të përballet me një rrezik të shtuar të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024, posaçërisht në Bosnjë e Hercegovinë ku lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, synon shkëputjen de facto të Republikës Sërpska, dhe në Kosovë ku tensionet u rritën skajshëm vitin e kaluar. Kështu ka thënë Komuniteti i inteligjencës amerikane në një raport të vlerësimit vjetor të kërcënimit në botë.
“Liderët nacionalistë ka shumë të ngjarë t’i acarojnë tensionet për përfitime politike, ndërsa aktorët e jashtëm do t’i shfrytëzojnë dallimet etnike për ta rritur apo mbrojtur ndikimin e vet rajonal, apo për të mos e lejuar integrimin më të madh të Ballkanit në institucionet euroatlantike dhe të Bashkimit Evropian”, është thënë në raportin e publikuar muajin e kaluar.
Në raportin e Zyrës së drejtorit të Inteligjencës Kombëtare është thënë se “përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare kanë shkaktuar vdekje dhe lëndime, përfshirë lëndimin e paqeruajtësve të NATO-së në vitin 2023”.
Më 29 maj 2023, gjatë protestave të vazhdueshme të serbëve në komunat veriore, ishin sulmuar dhe kishin pësuar lëndime 30 ushtarë të KFOR-it.
Më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur e kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që kanë pasuar u patën vrarë tre sulmues serbë.
Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin duke thënë se ajo ka tentuar “ta aneksojë” veriun, por Serbia e ka mohuar çdo përfshirje.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka shtuar numrin e trupave pas sulmit të 24 shtatorit, ku tani i ka 4 500 pjesëtarë.
Në lidhje me Bosnjë e Hercegovinën, raporti ka theksuar se “lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, po ndërmerr hapa provokues për ta neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnjë dhe për ta siguruar ndarjen de facto për Republikën e tij Sërpska”.
“Veprimi i tij mund t’i nxisë liderët e popullsisë boshnjake (myslimanët e Bosnjës) t’i rrisin kapacitetet e veta për t’i mbrojtur interesat e veta dhe kështu mbase të nxisin konflikte të dhunshme, të cilat mund t’i tejkalojnë forcat paqeruajtëse”, është thënë në raport.
Dodiku, president i Republikës Sërpska, është duke u përpjekur tash e dy vjet që entiteti i Bosnjë e Hercegovinës të marrë pushtetin e shtetit dhe të krijojë institucione paralele, duke kërcënuar se Republika Sërpska do të ndahet nga Bosnja e Hercegovina përgjithmonë.
Për shkak të “aktiviteteve të tij kundër marrëveshjes së Dejtonit”, Dodiku është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.
Dodiku më herët ka deklaruar se nuk ka frikë nga paralajmërimet amerikane dhe ka kërcënuar se do ta kthejë kufirin e entitetit në kufi shtetëror.
Ambasada Amerikane në Sarajevë ka paralajmëruar për rrezikun e politikës separatiste të Dodikut, duke deklaruar se ajo “vë në rrezik perspektivën evropiane të Bosnjë e Hercegovinës, demokracinë dhe ekonominë e saj”.
Roli i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare amerikane është ta mbikëqyrë dhe ta drejtojë zbatimin e Programit të Inteligjencës Kombëtare dhe të veprojë si këshilltar parimor i presidentit amerikan, i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Atdheut për çështjet e inteligjencës në lidhje me sigurinë kombëtare.
Ai emërohet nga presidenti me këshillimin dhe pajtimin e Senatit. /REL