Komuniteti shqiptaro-amerikan kundërshtoi pjesëmarrjen e Vuçiqit në OKB në këtë formë
Komuniteti shqiptaro-amerikan ka protestuar në Nju-Jork kundër pjesëmarrjes së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, Harry Bajraktari, aktivist i njohur i komunitetit shqiptar, ka publikuar një video ku shihet një kamion me një ekran që shfaqte mesazhe kundër Vuçiqit dhe fakte nga lufta në Kosovë.
“Vuçiq = Millosheviç 2.0”, “Drejtësi për vëllezërit Bytyqi”, “Krimet e luftës të pandëshkuara: 13,950 të vrarë, 20,000 të dhunuar dhe 1,600 të zhdukur”, “Serbia ka gjak në duart e saj, ndaloni së mbrojturi kriminelët”, ishin disa prej këtyre mesazheve.
Komuniteti shqiptaro-amerikan ka kërkuar drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë dhe ka denoncuar vonesën në ndëshkimin e krimeve të luftës.