Koncesioni i Rinasit kalon tek “Kastrati Group”

25 dhjetor 2020 | 16:12

Konçesioni i aeroportit të Rinasit ka kaluar zyrtarisht te “Kastrati Group”. Transaksioni mes grupit më të madh në vend dhe kompanisë kineze që zotëronte deri më tani aksionet është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku specifikohet se “Kastrati Group” tashmë disponon 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “Tirana International Airport”, që menaxhon  konçesionin.

Sipas kontratës grupi Kastrati do të paguajë në total 71 milionë euro, të ndara në 2 këste, ku fillimisht do të bëhet një pagesë fillestare prej 15 milionë eurosh dhe më pas një shumë prej 56 milionë eurosh e konsideruar si shuma e mbylljes. “Real Fortress Private Limited”, pjesë  e grupit kinez “China Everbright”,  njoftoi në prill të vitit 2016 se  kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, përmes një transaksioni me vlerë 82.25 milionë euro. Po në prill të 2016-ës qeveria njoftoi heqjen e ekskluzivitetit të Rinasit, pas 2 vite e gjysmë negociatash mes koncesionarit dhe Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.

Sipas marrëveshjes së arritur kompania hiqte dorë nga monopoli i fluturimeve, me kushtin që kontrata e saj të zgjatej për dy vjet menjëherë si kompensim për uljen e mundshme të të ardhurave nga fillimi i punës në Aeroportin e Kukësit si dhe me shtimin e afatit të kontratës me 0.5 vite për çdo vit pune që do të kryejë një aeroport i ri i mundshëm në jug të Shqipërisë. Megjithatë, deri më tani Rinasi vazhdon të jetë i vetmi aeroport që kryen fluturime, teksa aeroporti i Kukësit është duke u ndërtuar. Paralelisht, edhe aeroporti i Vlorës është ende larg realizimit, pasi ndodhet në fazë tenderimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marcos Alonso është një dëshirë e madhe e trajnerit Antonio…