Konçuli, fshati i pamposhtur i ndodhur mes Kosovës dhe Serbisë
Nga Berat Luzha
Të gjithë ata që kalojnë për herë të parë në rrugën regjionale Gjilan – Bujanocë, rrugë që ndanë fshatin Konçul në dy pjesë, do të befasohen kur shohin nëpër shtyllat e elektrikut valëvitjen e flamurit kombëtar. Këta flamuj, bashkë me fshatin, sikur presin e përcjellin kalimtarët e rastit që hyjnë e dalin nga Republika e Kosovës.
Konçuli është një fshat me popullsi shqiptare në afërsi të drejtpërdrejtë të kufirit shtetëror Kosovë – Serbi, i administruar nga Republika e Serbisë. Shtrihet në një zonë strategjike, në dalje të Grykës së Konçulit, si njëra ndër portat më të rëndësishme hyrëse të Republikës së Kosovës. E ndodhur në brigjet e lumit Morava dhe në hyrje të Kosovës Lindore, në rrugën Gjilan – Bujanocë dhe në një luginë mes kodrave të gjelbëruara, Konçuli paraqitet si një panoramë shumë tërheqëse dhe me një bukuri magjepse.
Deri nga fundi i viteve 50-ta të shek. të kaluar Konçuli ishte në përbërje të Krahinës së atëhershme të Kosovës dhe të komunës së Kamenicës, por me ndryshimin e atëhershëm të kufirit administrativ nga regjimi i Beogradit, ky fshat, bashkë me disa fshatra tjerë kaluan në komunën e Bujanocës dhe në përbërje të Republikës së Serbisë.
Llogaritet se Konçuli është fshat shumë i vjetër. Rrethina e tij ishte e banuar shumë herët. Në tri vendbanime antike në periferi të fshatit janë zbuluar vegla pune që nga koha e neolitit. Në fshat ndodhej edhe një kishë e shek. VI, nga e cila sot kanë mbetur vetëm themelet, si gërmadhë. Me gurët e kësaj kishe thuhet se është ndërtuar, në shek. XVII, xhamia e fshatit.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022, Konçuli kishte rreth 200 shtëpi me 1856 banorë. Mirëpo, pas luftës së UÇPMB- së janë larguar shumica e banorëve të fshatit. Pjesa më e madhe e popullsisë janë shpërngulur për arsye të kushteve, të rrethanave e të përndjekjeve nga regjimi, të cilët tash jetojnë e punojnë në mërgim, në shtetet e Evropës Perëndimore, kurse një pjesë tjetër banojnë në Gjilan, Fushë-Kosovë, Prishtinë e Dardanë.
Gjatë luftës së UÇK-së Konçuli ndihmoi, aq sa mundi, me ushqim e strehim vëllezërit e tyre në Kosovë, kurse gjatë luftës së UÇPMB-së ishte strehë e luftëtarëve të lirisë, ku e kishte selinë e Shtabi i Përgjithshëm. Më 20 maj 2001 në Konçul është nënshkruar Deklarata për Demilitarizim, e mbiquajtur edhe si Marrëveshja e Konçulit. Këtë deklaratë, në tetë pika, të nënshkruar nga luftëtarët e UÇPMB-së dhe aleanca NATO, nuk e ka nënshkruar Serbia, si palë ndërluftuese, e cila asnjëherë nuk e ka përfillur, edhe pse ishte zotuar se do ta respektonte “paqen e arritur”. Serbia formalisht shpalli amnistinë për luftëtarët e UÇPMB-së për gjoja “krime të luftës”, por përndjekjet dhe burgosjet e shqiptarëve, që kishin marrë pjesë në luftime, ka vazhduar pandërprerë deri sot.
Si një fshat përparimtar, Konçuli pothuaj e ka të rregulluar infrastrukturën rrugore, të ndriçimit të rrugëve, të ujësjellësit e kanalizimit, të rregullimit e varrezave të fshatit, të ambulancës, të meremetimit të shkollës, të rindërtimit të xhamisë. Një kontribut të çmueshëm për rregullimin e infrastrukturës së fshatit e ka dhënë edhe shoqata humanitare “Konçuli”, që vepron në mërgatë dhe e ndihmon fshatin e vet.
Duke qenë i ndërtuar në rrjedhën e lumit Morava e Binçës, toka e Konçulit është shumë e begatshme. Në të kaluarën, sikur edhe në fshatrat tjera, konçulasit janë marrë me bujqësi e blegtori, posaçërisht me kultivimin e duhanit, shalqirit, konopit e patates, si dhe me shitjen e drurit. Kurse sot, pos ndihmave nga mërgata, popullsia merret edhe me tregti. Pasi lumi Morava përshkon përmes fshatit, gjatë shirave të mëdha fryhet lumi, del nga shtrati dhe vërshon shtëpitë, oborret dhe tokat pjellore të Konçulit, me ç’rast shkaktohen dëme të mëdha.
Fshati Konçul dallohet për bujari, mikpritje e trimëri. Ai ka dhënë burra të fortë të çështjes kombëtare, në mesin dallojmë Dëshmorin e Lirisë, Vehbi Rexhepin, Jonuz Musliun, i ndjerë, i burgosur politik dhe përfaqësues politik i UÇPMB-së, Shefket Musliun, komandant i UÇPMB-së, etj.