Konetti takon ministrin Bytyqi, flasin për një sistem arsimor më cilësor
Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett, me të cilin kanë folur për gjendjen në arsim.
Në profilin e tij në “Facebook”, ministri Bytyqi ka shkruar se nga ky takim u pa si nevojë që në themelet e procesit të ketë transparencë, profesionalizëm dhe ruajtje të sistemit të arsimit që të mos bie në margjina politike.
Postimi i plotë i ministrit Bytyqi:
Me shumë kënaqësi prita sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Philip S. Kosnett dhe drejtoreshën e misionit të USAID-it në Kosovë, znj. Lisa Magno, me të cilët biseduam për sistemin arsimor në Kosovë.
Është fokusi ynë i përbashkët për të ndërtuar një sistem arsimor me cilësi, e të vyer për vendin, shoqërinë dhe ekonominë. Në takimin e sotëm u pa si nevojë që në themelet e procesit të ketë transparencë, profesionalizëm dhe ruajtje te sistemit që të mos bie në margjina politike.
Vëmendja e pareshtur amerikane në përkushtimin dhe gatishmërinë në krah të arsimit tonë, ndërtimit të një sistemi funksional e profesional, e shprehur edhe në takimin e sotëm, na bënë të shtojmë besimin se mund t’ia dalim.
Siç e shprehi edhe Ambasadori Kosnett, sistemi i arsimit i bazuar në merita dhe transparencë është i domosdoshëm për t’ua mundësuar të gjithë qytetarëve të Kosovës të kontribuojnë në prosperitetin e saj.
Falënderova shkëlqesinë e tij, ambasadorin Kosnett, për vizitën, për qëndrimin në krah të arsimit kosovar, për dyert e hapura të miqësisë e bashkëpunimit që na i shprehu në traditën e mbështetjes amerikane për të cilat dikasteri ynë ka shumë çfarë të konsultojë e mësojë. Duke qëndruar në krye të detyrës ne do të ia dalim ta bëjmë arsimin tonë një bazë suksesi për shoqërinë dhe ekonominë tonë.
/Epoka e re/