Konferenca e donatorëve në Varshavë, zbulohet shuma e premtuar për Ukrainën
Kryeministrat polakë dhe suedezë bashkë-pritës të konferencës bënë thirrje për mbështetje të mëtejshme dhe solidaritet për Ukrainën.
La Mbi 6 miliardë euro (6.3 miliardë dollarë) u zotuan qeveritë e BE këtë enjte për Ukrainën në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve, organizuar nga qeveritë polake dhe suedeze në Varshavë.
“Në këtë konferencë ne arritëm të mbledhim më shumë se 6 miliardë euro. Këto para do të shpërndahen për të mbështetur Ukrainën dhe të gjithë ata që mbështesin Ukrainën”, tha kryeministri polak Mateusz Morawiecki, në një konferencë për shtypi.
“Sot, Ukrainës ne të gjithë i detyrohemi një borxhi mirënjohjeje,” tha Morawiecki, duke u bërë thirrje vendeve të BE-së të pranojnë paketën e 6-të të sanksioneve të propozuar nga Komisioni Evropian, pavarësisht kostove të saj të rënda për ekonominë evropiane. “Nuk ka liri pa solidaritet,” pohoi ai.
Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson përshëndeti gjithashtu “rezultatet fantastike” të konferencës së donatorëve që “deri më tani i kanë tejkaluar pritshmëritë tona”, tha ajo, por paralajmëroi se Ukraina do të ketë nevojë gjithashtu, për mbështetje në të ardhmen.
Ajo i bëri thirrje Rusisë që t’i japë fund kësaj lufte brutale kundër Ukrainës dhe të tërheqë forcat e saj nga vendi. Sipas propozimit të Komisionit Evropian, BE-ja do të ndalojë importet e naftës nga Rusia, do të përjashtojë Sberbank nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT, si dhe do të godasë individë të rinj me një ngrirje aktivesh dhe ndalim udhëtimi, si pjesë e raundit të 6-të të sanksioneve për luftën në Ukrainë.
Shqipëria në këtë konferencë akordoi 1 milion euro.