![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/06/konf.jpg)
Konferenca e Macronit, Michelit dhe Von Der Leyen, asnjë fjalë për heqjen e vizave
Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, shteti i të cilit e udhëheqë presidencën e Këshillit, nuk e kanë thënë asnjë fjalë për heqjen e vizave për Kosovën në konferencën për media pas takimit të 27 liderëve të BE-së.
Hapësirën më të madhe në konferencën për gazetarë e pati Ukraina, Moldavia e Gjeorgjia, për dhënien e statusit të vendeve kandidate të BE-së.
Kosova është përmendur vetëm nga presidenti i Këshillit, Michel, në kontekstin e përkrahjes së dialogut Prishtinë – Beograd.
“Ne përkrahim konkluzionet nga përfaqësuesi i lartë në dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë ai kur foli për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Liberalizimi i vizave nuk është përmendur as në konkluzat e Këshillit në takimin e ditës së parë që është zhvilluar dje.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në samit, ka kërkuar që procesit të liberalizimit të vizave t’i jepet fund, duke theksuar se kjo çështje “ka shkuar shumë larg”.
Liderët e 27 vendeve të BE-së do ta zhvillojnë sot edhe takimin e dytë në kuadër të Këshillit të BE-së.