Konferenca e parë e UÇK-së, njoftimi për çlirimin e Prishtinës nga komandant “Remi”

13 qershor 2021 | 13:07

Nga arkiva e UÇK-së, java e parë e lirisë, qershor 1999

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i Zonës Operative të Llapit (ZOLL), Muharrem Mahmutaj ka publikuar njoftimin për mbajtjen e konferencës së parë të komandantit të Zonës Operative të Llapit, gjeneral Rrustem Mustafa, të mbajtur më 13 qershor të vitit 1999, pas hyrjes së UÇK-së në Prishtinë.

(13 qershor 1999, Prishtinë) – Për t’iu përgjigjur interesimeve të shumta të mediave të huaja dhe vendore, Komandantit i Zonës Operative të Llapit, Gjeneral Rrustem Mustafa-Remi, ka mbajtur sot në orën 11:00 një konferencë për media, në komandën e Zonës në Prishtinë. Në fillim të Konferencës komandant Remi për gazetarët që kishin mbushur sallën e konferencave sqaroi se ai ka disa ditë që gjendet në Prishtinë kurse akti i zyrtarizmit të komandës ne kryeqytet ka të bëjë me lehtësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit me përfaqësuesit e NATO-s si dhe lehtësimit të komunikimit me gazetarët.

Ai në vazhdimi i njoftoj gazetarët se kanë filluar kontaktet e para me përfaqësuesit e NATO-s në Prishtinë, ka komunikuar me telefon me Komandantin e KFOR-it, gjeneralin Majkell Xhekson  me të cilin pritet të takohet se shpejti.

I pyetur për të ardhmen e UÇK-së dhe mundësinë për tu çarmatosur, Komandant Remi theksoi se të ardhmen e UÇK-së e sheh në transformimin dhe ristrukturimin e saj. UÇK-ja nuk ka nevojë të rrijë e shpërndarë në male dhe qytete ajo duhet të grumbullohet në kazerma. Do të jetë NATO-ja ajo që më instruktorët e saj do të ndihmojë në ristrukturimin e UÇK-së. Edhe NATO-ja besoj e kupton se Kosovës i duhet një ushtri. Ne kemi investuar shumë për këtë ushtri dhe jemi të gatshëm të investojmë prapë tha Komandant Remi dhe  shtoi se edhe ne vet jemi të interesuar ti heqim disa armë te vjetra për tu pajisur me armatim me modern. Me një fjalë UÇK-ja do të riorganizohet.

Në pyetjen se si e sheh ai këtë riorganizim të UÇK-së, Komandant Remi shpjegoi se hapi i parë do të bëhet me krijimin e policisë. Policia duhet të dalë nga UÇK-ja. Pastaj vjen Garda Kombëtare. Ndërkohë që ushtarët tjerë do të stërviten nga ushtarakët e NATO-s. Shqiptarët ka më shumë se 10 vite që nuk kanë shërbyer në ushtrinë jugosllave. Ata patjetër duhet të aftësohen ushtarakisht, kurse Kosova është vend shumë i përshtatshëm për këtë punë.

Lidhur me atë se a paraqet shqetësim ardhja e trupave ruse në Kosovë  dhe cilat do të jenë raportet e UÇK-së me këto forca, Komandant Remi qartësoi se nëse trupat ruse vendosen dhe janë nën komandën e KFOR-it atëherë nuk do të ketë kurrfarë problemi me to. Çdo veprim i tyre jashtë komandës se NATO-s për ne është i papranueshëm dhe si të tilla këto forca do t’i konsiderojmë të padëshiruara.

Një pyetje tjetër kishte të bënte me zhvillimet e ardhshme politike në Kosovë dhe mundësinë e rikthimit të Ibrahim Rugovës. Komandant Remi theksoi se në Kosovë jeta do të fillojë të normalizohet. Njerëzit mund të zgjedhin dhe votojnë për kë të duan.

Komandant Remi hodhi poshtë mundësinë që UÇK-ja të shndërrohet në forcë politike. Individë nga UÇK-ja mund të kalojnë në jetën politike tha ai por jam i bindur se njerëzit e UÇK-së do të mbesin prapë bashkë.

E rëndësishme është që forcat terroriste serbe po largohen nga Kosova të gjitha problemet tjera do t’i zgjidhim bashkë me aleatët tanë të NATO-s, tha në fund të konferencës Komandant i Zonës Operative të Llapit, gjeneral Rrustem Mustafa-Remi.

Muharrem Mahmutaj

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bota e futbollit vijon të jetë ende e shokuar për…