Konferenca e përbashkët, Rama: Askush nuk e ka kuptuar më mirë se Merkeli rajonin tonë

14 shtator 2021 | 14:58

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë në një konferencë të përbashkët me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila sot po qëndron në Tiranë.

Teksa e falënderoi për të gjithë punën e bërë gjatë këtyre viteve për të gjithë rajonin, Rama ka thënë se pa kancelaren Merkel, Ballkani nuk do të ishte njësoj siç është sot dhe se procesi i Berlinit i iniciuar prej saj, e ka bërë Ballkanin Perëndimor një vend më të mirë.

“Një ditë e bukur se kemi privilegjin të presim në Tiranë një mike të Ballkanit të shqiptarëve dhe të gjithë popujve të këtij rajoni. Është e trishtuar sepse kjo është vizita e lamtumirës e Merkel si kancelare e Gjermanisë. Besoj që askush nuk ka bërë për këtë rajon pas kapërcimit të luftës më shumë sesa kancelaria gjermane dhe ajo që është më e rëndësishme sipas meje është fakti se askush nuk e ka kuptuar këtë rajon më mirë sesa Merkeli”, ka thënë Rama.

“Me kancelaren është problem se nuk i ka qejf fjalimet me shumë fjalë të bukura po njëkohësisht është shumë e sinqertë edhe shprehja e fjalëve më të mira me çka ajo bëri duke iniciuar procesin e Berlinit, një proces që është vizion larg pamës jo thjeshtë për të kaluar një fazë disa vjeçare, por për ta parë të ardhmen të gjithë së bashku. Përtej të gjitha rezultateve konkrete në aspektin e fushave që mbulon Berlini arritja më e madhe është vendosja e një fryme bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe e sensit të së ardhmes së përbashkët”, ka thënë ai.

Rama ka theksuar se sot ishte privilegj që kancelarja Merkel të ishte në Tiranë. “Këtu kishim edhe takimet bilaterale dhe të gjithë liderët e rajonit tonë dhe duhet t’i shpreh mirënjohjen e falënderimin në emër të gjithë shqiptarëve për atë që Gjermania ka bërë për Shqipërinë dhe për atë që kancelarja ka bërë për rajonin”, ka deklaruar Rama.

Ai ka shtuar se sot Ballkani Perëndimor është një vend shumë më i mirë seç ishte para se Merkel të niste procesin e Berlinit.

“Pavarësisht se do të ketë vazhdimësi në politikën gjermane, Merkel do t’i mungojë këtij rajoni dhe ma ha mendja që interesi i të gjithëve këtu është të dëgjojnë më shumë fjalët e saj sesa të mijat”, është shprehur Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AC Milan rikthehet në Ligën e Kampionëve pas shtatë sezonesh…