Konferenca ‘FSK dhe partnerët’, Kurti: Siguria bashkëpunuese mbetet angazhimi ynë kryesor
“Vizioni ynë për Republikën e Kosovës është një vend që promovon stabilitet dhe siguri; jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për rajonin dhe më gjerë”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në hapje të konferencës “FSK dhe partnerët”.
Ai ka thënë se Kosova synon të jetë pjesë përbërëse e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë, në veçanti NATO dhe BE.
“Po ashtu dëshiron të jetë pjesë e nismave rajonale dhe të promovojë marrëdhënie paqësore fqinjësore në mënyrë që të rrisë stabilitetin dhe besimin ndërmjet vendeve në rajon”, është shprehur ai.
Kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohjen e thellë për rolin e rëndësishëm që NATO, përmes KFOR -it, ka luajtur në zhvillimin e sektorit tonë të sigurisë dhe në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë.
“Republika e Kosovës, merr seriozisht përgjegjësinë e saj kryesore për t’u ofruar siguri qytetarëve të saj. Ne jemi mirënjohës për rolin e rëndësishëm që NATO, përmes KFOR-it, ka luajtur në zhvillimin e sektorit tonë të sigurisë dhe në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë. Sidoqoftë, ne duhet të vazhdojmë të ngrisim institucionet tona për të siguruar mbrojtje dhe siguri për të gjithë qytetarët e vendit tonë, nga një komb që është konsumator i sigurisë te një që është ofrues i sigurisë. Qeveria është e përkushtuar që të avancojë kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mënyrë që të shërbejë përkrah ushtrive të vendeve të NATO-s në operacionet vitale të ruajtjes së paqes”, ka deklaruar Kurti.