Konferenca kibernetike “Cyber zero”, Kurti: Transformimi digjital është në fokus të qeverisjes sonë
“Transformimi digjital në të cilin jemi duke punuar, do të sjellë benefite të shumta si për shtetin po ashtu edhe për shoqërinë e digjitalizimi i administratës publike në veçanti mundëson rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në qeverisje, si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe bizneset tona, andaj është edhe në fokus të qeverisjes sonë. Përmes digjitalizimit në arsim ne synojmë arsim më cilësor në të gjitha nivelet, ndërsa sistemi i informacionit shëndetësor do të krijojë mundësi për shëndetësi më efikase. Me digjitalizim të gjithëmbarshëm presim rritje të kursimeve, të produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë në ekonomi”, kështu ka thënë kryeministri Albin Kurti, në konferencën ndërkombëtare të sigurisë kibernetike “Cyber zero”.
Me këtë rast, kryeministri Kurti ka njoftuar se qeveria është duke i adresuar rreziqet e sigurisë kibernetike përmes një angazhimi shumëdimensionalë dhe shtoi se në tetor të vitit të kaluar, është miratuar në qeveri Ligji për sigurinë kibernetike si dhe është aprovuar në lexim të parë në Kuvend.
Ai ka theksuar se përmes këtij ligji do të themelohet Agjencia për Siguri Kibernetike, që do të jetë institucioni kyç përgjegjës për caktimin dhe zbatimin e masave për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës.
Ndërkohë, sipas Kurtit, është finalizuar drafti i strategjisë së re për sigurinë kibernetike, që pritet të vendoset në konsultime publike në fund të këtij muaji, për çka kryeministri i ka inkurajuar të gjithë që të marrin pjesë.
“Strategjia rithekson domosdoshmërinë e forcimit të mekanizmave institucionalë dhe rritjes së kapaciteteve të qëndrueshme njerëzore në fushën e sigurisë kibernetike në nivel të shtetit. Në veçanti, parashihet rritja e kapaciteteve për trajtimin e incidenteve kibernetike në luftimin e krimit kibernetik”, ka thënë ai.
Më tej, kryeministri Kurti ka thënë se mbrojtjen efektive të vendit në fushën e sigurisë kibernetike do të mund ta bëjmë vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë e të dendur ndërmjet sektorit publik e privat, akademisë e komunitetit të gjerë të sigurisë kibernetike në vend, si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me vendet mike, e gjithsesi edhe konferenca “Cyber Zero” i kontribuon një bashkëpunimi të tillë.
Në fund, duke vënë theksin te rëndësia e sigurisë kibernetike, ai shtoi se Republika e Kosovës do ta shtojë investimin e saj në mbrojtje dhe siguri, por se as mbrojtja e as siguria nuk janë të mbrojtura e të sigurta, përderisa nuk ka siguri kibernetike.