
Konferenca Kurti-Rashiq, reagon Lista Serbe: Jemi krenarë për mbështetjen e Vuçiqit
Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar ka reaguar pas konferencës së sotme të kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Ky subjekt në deklaratën e tyre pretendojnë se të gjitha ato që u than nga Kurti janë gënjeshtra.
“Sot, Albin Kurti, me të preferuarin dhe të mbrojturin e tij, ish-serbin, Nenad Rashiq, në një konferencë për shtyp, tha gënjeshtra brutale dhe konfirmoi atë që të gjithë e dimë shumë mirë, se miku i tij Nenad Rashiq është drejtpërdrejt nën kontrollin e tij, se ai mandatin e dedikuar serbëve e ka marrë me votat e shqiptarëve, dhe se atë mandat ia ka dorëzuar Kurtit, dhe se është i dëshpëruar që nuk funksionoi plani për t’i përndjekur të gjithë serbët. Rashiqi sot u strehua nën krahun e Albin Kurtit, me të cilin kurdiste plane për të pushtuar institucionet serbe dhe i tregoi mbarë botës se nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë përfaqësues i popullit serb”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Lista Serbe.
Tutje në komunikatën e tyre Lista Serbe ka akuzuar edhe organizatat ndërkombëtare lidhur me zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Duhet të dihet se këto zgjedhje treguan forcën e unitetit dhe harmonisë serbe, por gjithashtu dhe hipokrizinë e disa organizatave ndërkombëtare, si fondacioni gjerman GIZ, i cili ndërhyri në procesin zgjedhor dhe disa ditë para zgjedhjeve dha mbështetje për Rashiqin përmes nënshkrimit të disa kontratave, të cilat Rashiqi bekoi”, thuhet në reagimin e tyre.
Lista Serbe thotë se ndihet krenare që ka marrë mbështetjen më të madhe nga populli serb dhe që, me gjithë presionet, shantazhet dhe kërcënimet, ka arritur të rezistojë me ndihmën e harmonisë dhe unitetit të popullit, duke treguar edhe një herë se nuk ka dorëzim.
“Lista Serbe është krenare që mori mbështetje maksimale nga populli serb, dhe se pavarësisht të gjitha presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve, arriti të qëndrojë me forcën e harmonisë dhe unitetit të popullit tonë, duke treguar edhe njëherë se “nuk ka dorëzim!” Po ashtu, jemi po aq krenarë që qëndrojmë nën flamurin e Serbisë dhe që kemi mbështetje nga Presidenti Aleksandar Vuçiq, sepse falë kësaj mbështetjeje, serbët mbijetojnë në këto hapësira. Në anën tjetër, Rashiq qëndron krah Kurtit, i cili dëshiron të ndalojë çdo gjë serbe. Pas kësaj konference, është e qartë për të gjithë se ata që sulmojnë Vuçiqin dhe kërkojnë dorëheqjen e tij janë krah të shtrirë dhe ndjekës të Albin Kurtit, që duan të shkatërrojnë serbët në Kosovë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.