‘Konferenca Ndërkombëtare për Gjeoshkencë’ mbledh studiues nga vende të ndryshme evropiane
Të enjten në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) ka filluar punimet “Konferenca Ndërkombëtare e Gjeoshkencës”, e cila ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Në konferencë janë regjistruar 86 pjesëmarrës, ku janë dorëzuar gjithsej 75 abstrakte, prej të cilave janë pranuar 52 sosh.
Përveç studiuesve nga universitetet vendore, në konferencë po marrin pjesë edhe studiues dhe shkencëtarë nga vende të ndryshme të Evropës, si nga Finlanda, Italia, Polonia, Turqia dhe Sllovenia. Konferenca dyditore, e cila organizohet nga UMIB-i, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, është vlerësuar si një ngjarje jashtëzakonisht me rëndësi për gjeoshkencat.
Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, u ka uruar mirëseardhje mysafirëve në këtë konferencë, e cila sipas tij, paraqet një ngjarje të shënuar jo vetëm për Universitetin e Mitrovicës dhe Mitrovicën, por edhe për gjithë vendin tonë në përgjithësi. “Jemi të nderuar, që kemi mundësinë të jemi nikoqir të një eventi të këtillë, që është futur si ngjarje dhe në listën e aktiviteteve të vitit 2019 nga Shërbimi Gjeologjik Evropian. Do të thotë konferenca që po e hapim sot është e përmasave evropiane dhe për këtë jemi jashtëzakonisht të lumtur”, ka thënë Musaj.
Ai ka theksuar se prania e shkencëtarëve dhe studiuesve nga vende të ndryshme evropiane, krahas atyre nga rajoni dhe vendi, i japin kuptim të mirëfilltë kësaj konference për gjeoshkencë. “Kosova dhe Mitrovica në veçanti për shkak të specifikave, ka tepër nevojë për ngjarje të këtij karakteri. Ngjarjet me karakter shkencor kanë qenë të pakta dhe kanë mbetur nën hije të rrethanave politike prej pasluftës e këndej në qytetin tonë, prandaj kjo konferencë është një lajm i mirë”, ka deklaruar Musaj.
Në hapje të konferencës ka folur edhe kryesuesi i Këshillit Organizativ të Konferencës, Sabri Avdullahi, mandej dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, Naser Peci, akademik, Minir Dushi etj. Më pas ka vazhduar pjesa plenare ku janë prezantuar kumtesat e studiuesve vendor dhe të jashtëm.
Kjo konferencë do të vazhdojë punën edhe të premten.