
Konferenca Shkencore: Gjuha shqipe – Identitet, jo politikë
Nga Astrit Gashi, Shkup
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare u mbajt konferenca shkencore “Gjuha shqipe – Identitet, jo politikë”, ku morën pjesë një sërë personalitetesh politike dhe akademike të Maqedonisë së Veriut.
Ata diskutuan mbi sfidat dhe rëndësinë e avancimit të përdorimit të gjuhës shqipe në institucione.
Organizator i konferencës ishte drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Granit Osmani.
Gjatë konferencës, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, theksuan nevojën për ta trajtuar gjuhën shqipe si një e drejtë të pamohueshme dhe jo si një çështje politike
Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Granit Osmani, vlerësoi se, megjithëse Ligji për Përdorimin e Gjuhëve u miratua në vitin 2019, zbatimi i tij mbetet ende sfidues.
“Në shumë raste, institucionet refuzojnë të përdorin shqipen në mënyrë të plotë, duke krijuar ndjenja diskriminimi dhe frustrimi. Gjuha duhet të jetë një urë bashkimi, jo një mjet ndarjeje”.
Ai theksoi se edukimi dygjuhësor, dialogu ndëretnik dhe politikat që respektojnë diversitetin kulturor janë hapa të rëndësishëm për ta bërë gjuhën një mjet afrimi, jo përçarjeje.
“Rasti i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut na tregon se politizimi i një gjuhe mund të ketë pasoja negative për integrimin e një komuniteti dhe për stabilitetin e shoqërisë. Gjuha shqipe nuk është një kërcënim; ajo është një vlerë që pasuron kulturën dhe identitetin e përbashkët të vendit tonë. Vetëm kur gjuha të pranohet si një e drejtë universale dhe të largohet nga politika, mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, të barabartë dhe të qëndrueshme”, tha Osmani.
Kryeparlamentari Afrim Gashi deklaroi se gjuha shqipe ka qenë shpesh viktimë e politizimit dhe se është koha të shihet si një vlerë kombëtare, e jo si një mjet për përçarje. “Gjuha shqipe është lodhur nga politika. Kjo shpesh më kujton ëndrrën e Faik Konicës, ku shqipja paraqitet si një grua e bukur, por e veshur me lecka, që ankohet për mundimet dhe rreziqet që e rrethojnë. Prandaj, avancimi i statusit të gjuhës shqipe duhet të trajtohet përtej interesave politike, për të shmangur keqpërdorimet”, u shpreh Gashi.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, kritikoi formulimet ligjore që i referohen gjuhës shqipe me termin “20%”, duke theksuar se shqiptarët nuk janë thjesht një përqindje statistikore, por një realitet historik dhe shoqëror. “Kushtetuta duhet të prodhojë zgjidhje, jo të krijojë probleme apo frustracione. Formulime si ‘20%-shi’ duhet të zëvendësohen me terma politikisht dhe etnikisht të pranueshëm. Gjuha shqipe nuk mund të trajtohet si një kufizim numerik, por si një e drejtë e natyrshme për qytetarët shqiptarë në RMV”, tha Mexhiti.
Në konferencë u mbajtën diskutime nga ekspertë dhe profesorë universitarë mbi rolin e gjuhës shqipe në sistemin arsimor, ndikimin e politikës në zhvillimin e saj dhe nevojën për përmirësimin e legjislacionit.
Profesori Jeton Shasivari theksoi se kontestimi i Ligjit të Gjuhëve në Gjykatën Kushtetuese përbën një sfidë serioze për konstitucionalizmin në vend.
“Gjykata Kushtetuese nuk e ka të lehtë të shfuqizojë ose të kufizojë një të drejtë të fituar me dekada. Përdorimi i gjuhës shqipe është një realitet juridik dhe historik që nuk mund të mohohet”, deklaroi ai.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës siguroi se mbetet e përkushtuar për avancimin e arsimit në gjuhën amtare dhe garantimin e cilësisë në edukim.
“Duke investuar në arsim dhe edukim në gjuhën amtare, ne po hedhim themelet për një shoqëri më të hapur dhe të ndërgjegjshme”, tha zëvendësministri Lulzim Aliu.
Në konferencën shkencore, një sërë profesorësh dhe studiuesish ndanë analizat e tyre mbi çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut: Prof. Ismet Osmani foli mbi realitetin gjuhësor në vend.
Prof. Demush Bajrami trajtoi ndikimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në identitetin gjuhësor.
Prof. Ajtene Qamili analizoi shqipen në kontekst multikulturor.
Prof. Zeqirja Ibrahimi diskutoi për politikat gjuhësore dhe përkufizimet e tyre.
Prof. Mersim Maksuti dha argumente ligjore mbi mbrojtjen e Ligjit të Gjuhëve.
Gjykata Kushtetuese pritet ta diskutojë ligjin më 20 mars
Në muajin mars, Gjykata Kushtetuese pritet të mbajë një seancë për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, një çështje që ka ngritur shqetësime në komunitetin shqiptar.
Pjesëmarrësit e konferencës bënë thirrje për një trajtim të drejtë të gjuhës shqipe dhe për masa konkrete në implementimin e barazisë gjuhësore në Maqedoninë e Veriut.