Konfirmohen dy raste të variantit ‘Delta’ Covid-19 në Kosovë
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka njoftuar se në Kosovë janë konfirmuar dy raste me variantin “Delta” i Covid-19, nga 22 mostra të dyshimta që ishin dërguar për analizë në Berlin.
“Sot kemi pranuar të dhënat nga 22 mostrat pozitive të dërguara në Institutin e Virologjisë të Klinikës Unversitare Charite në Berlin, prej të cilave janë identifikuar 2 (dy) mostra me variantin Delta (B.1.617.2) të SARS-CoV-2. Të dy rastet kanë shfaqur simptoma, mirëpo tashmë janë shëruar dhe gjenden në shtëpi. Izolimi i tyre ka përfunduar. Ekipet e IKSHPK-së tashmë kanë gjurmuar të gjitha burimet dhe kontaktet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve”, ka njoftuar MSh-ja.
Sipas MSh-së, varianti “Delta” u detektua për herë të parë në Indi në dhjetor të vitit 2020, i cili sot është njëri prej varianteve më brengosës në rruzullin tokësor.
“Hulumtimet e gjertanishme sugjerojnë se mund të jetë varianti që përhapet më së shpejti edhe më ngjitës sesa Alpha (U.K/B.1.1.7). Masat parandaluese janë të njëjta. Individët të cilët rezultojnë pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do të mundësohet ndërprerja e përhapjes së infeksionit. IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia Covid-19 dhe zbatimin e masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.